Banda e drogës: Rroftë Partia Socialiste dhe Dako!

Në seancën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka bërë bujë një deklaratë e Astrit Avdylit, e cila nuk lidhet as me akuzat që rëndojnë mbi të dhe as me procesin gjyqësor. Në seancë, Avdyli deklaroi: “Rroftë Dako, rroftë PS, aty i qaj hallet. Vangjush Dakos i kam shërbyer. Besoj në programin e tij dhe të PS-së. Kam qenë i persekutuar, kam bërë burg politik”.

Kjo deklaratë që vjen nga salla e një procesi ku gjykohen krime të rënda është fraza që zbërthen gjithë funksionimin e pushtetit të sotëm. Avdyli së bashku me të tjerët mund të jenë të pafajshëm, por sipas prokurorisë ata dyshohen për krime që nisin nga trafiku i drogës dhe shkojnë deri te krijimi i laboratorëve për përpunimin e heroinës. Ndaj tyre ka mijëra faqe përgjime dhe hetimet nga policia shqiptare, agjencitë e BE dhe SHBA. Është interesant fakti sesi në ditën më të vështirë para gjykatës, ai që njihet si kreu i bandës së “Shijakut” nuk e ka mendje te pafajësia, por të shprehja e besnikërisë ndaj Partisë Socialiste dhe Vangjush Dakos. Një të akuzuari për probleme serioze me drejtësinë shqiptare, në momentin më rëndësishëm para gjykatës, e vetmja gjë që i vjen në mendje është të bëj politikë dhe të vlerësojë madje edhe programin e Partisë Socialiste. Kjo deklaratë nuk është batutë e rastësishme për mediat dhe as bindje e verbër për programin e “shkëlqyer” të Partisë Socialiste. Ajo çfarë ndodhi dje në seancë është edhe më flagrante, pasi  thirrjet “Rroftë PS, rroftë Dako” nga dikush që akuzohet për krime të rënda janë mesazh. Janë mesazh së pari për Vangjush Dakon dhe së dyti për PS dhe “programin” e saj. Arsyet janë të thjeshta. Të gjitha ata që e kanë ndjekur operacionin “Vol-Vo 4”, që duket se i “hëngri kokën” dhe ministrit Xhafaj e dinë se pjesë e kësaj dosje është dhe kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako. Janë të paktën tre përgjime ku pjesëtarë të familjes Avdylaj, përfshirë dhe Astrit Avdylin,  komunikonin në telefon me kreun e bashkisë së Durrës. Bisedat tregojnë hapur se Dako bisedon me ta për “punë” dhe për blerje votash. Personalisht Dako nuk e ka mohuar miqësinë me ta, por ka deklaruar se ka biseduar si me gjithë zgjedhësit e tjerë që kanë pasur probleme për të zgjidhur. Këtij hetimi prokuroria nuk i ka shkuar deri në fund. Sipas PD, një urdhër arresti që u firmos për kryebashkiakun e Durrësit lidhur me këto biseda, u kthye mbrapsht nga Prokuroria. Me largimin e Xhafajt nga ministria e brendshme çështja “Dako” është shumë larg duarve të prokurorëve. Por rreziku kryesor për kryebashkiakun e Durrësit tashmë janë ata në burg, sepse  mund të flasin. Kjo do të sillte ndryshimin e gjithë situatës jo vetëm për Dakon, por edhe të tjerë në PS.

Këtë frikë të kryebashkiakut të Durrësit e larguan dje vetë ata që njihen si anëtarët e bandës së “Shijakut” . Me thirrjet “Rroftë Dako”, njëlloj si komunistët që dënoheshin nga shokët e tyre në gjyqe, edhe Avdulaj e siguroi kryebashkiakun e Durrësit se nuk do të flasë për shumë gjëra që mund të dijë. Por PS-ja është shumë e madhe dhe që të mos kenë probleme as me deputetë dhe ministra të tjerë në Qeveri, Astrit Avdulaj nuk harroi të jepte konsideratat e larta dhe për programin vizionar të Partisë Socialiste. Diçka të ngjashme është hasur vetëm në gjyqet politike, madje në ato të kohës së komunizmit, kur shumë zyrtarë komunistë në momentet para vendimit deklaronin “rroftë partia, partia ime po më dënon”. Ngjarja e djeshme nuk është e vetmja. Një skenë e ngjashme ndodhi dhe në procesin gjyqësor kundër Rexhep Rraja, i akuzuar për përdhunim të Xhisiela Malokut. Edhe Rraja në vend të përgjigjeve për akuzat apo ndonjë falje publike të vetëm gjë që shqiptoi ishte mesazhi politik “Lulzim Basha ta provojë në votime”.

Është shqetësuese sesi persona të dyshuar për krime të rënda të vetmen pikë shpëtimi ndaj drejtësisë shohin qeverinë dhe emra të përveçëm të saj. Në fakt kjo është dhe akuza më e madhe që ata i bëjnë qeverisë, pasi në të gjitha rastet emrat e kryebashkiakeve dhe deputetëve të PS i shohin si bashkëpunëtor në krimet e tyre.

Thirrja e djeshme në seancën e gjyqit është mesazh shqetsues, sepse pushteti ka lidhje të dyshimta me bandat kriminale. Edhe vetë Vangjush Dako u ndje ngushtë dhe reagoi me shpoti ndaj tij. Edhe kryeministri e ka ndjerë se po flasin andej nga qelitë përsonat që kanë ble vota për PS dhe që kanë kryer krime.

Qamil Xhani

SHKARKO APP