Banda/Jeta e njeriut kushton 3 mijë euro një bombë me telekomandë!

Adil Mersinllari dhe Bledar Muçollari u arrestuan të shtunën me një arsenal armësh të rënda dhe municionesh. Këta shtetas rezultojnë se kanë qenë dhe më parë të proceduar nga policia, por pa arritur t’iu provohej veprat penale e “mbajtje pa leje dhe trafikimi i armëve luftarake dhe i municioneve”.

Të njohur si trafikantë armësh të sofistikuar, Mersinllari dhe Muçollari i siguronin armët kryesisht në Shqipëri dhe në disa raste, sipas hetimit, në Malin e Zi. Tregu i shitjes së armëve rezulton që të jetë kryesisht nga Greqia dhe Maqedonia, por sipas hetuesve, në shumë raste kanë arritur të shesin dhe në Shqipëri, tek persona të interesuar.

Janë zbardhur çmimet e shitjes me pakicë të armëve, në mënyrë të paligjshme. 3000 euro kushtonte një bombë me telekomandë, 400 euro një automatik Kallashnikov, 3000 euro antitanku,  300 euro predha, 1000 euro mitralozët, 500 euro kg / tritoli, 5 euro/copa fishekë.

Në vitin 2014, nga Sektori i Krimit të Organizuar të Korçës, këtyre shtetasve iu është sekuestruar kjo ngarkesë me municione dhe armë, në kufi me Greqinë, në fshatin Nikolicë të Devollit.

Por që në atë kohë nuk iu arrit të faktohej pronësia dhe autorësia e trafikut.

Në kuadër të operacionit “Moglica”, policia e kryeqytetit iu sekuestroi këtyre shtetasve 57 copë kallëpe tritoli të masës 400 gr për çdo kallëp; 103 copë granata sulmuese “defensive”, me rreze shpërthyese rreth 200 metra; 100 copë ndezës granatash, 1 granatë – hedhës, 23 predha granata – hedhësi; 20 kuti në forme tubi të dyshuara si eksplozive me një fuqi shumë të forte shpërthyese; 2 kaseta metalike dhe 1 kuti metalike për mbajtje fishekësh model 56, të kalibrit 7.62 mm shkruajne mediat e sotme.

SHKARKO APP