Basha: 16 Marsi do jetë protesta finale. Ajo ditë do jetë si 20 shkurti 1991

Opozita zhvilloi sot një nga protestat më të mëdha kundër qeverisë “Rama” para Parlamentit. Tubimi masiv nisi para orës 10:00 para Parlamentit dhe u zhvillua në të njëjtën kohë që Partia Socialiste thirri seancën e Parlamentit për të bërë betimin 4 deputetë e rinj të Kuvendit, që vijnë nga listat e opozitës, por nuk përfaqësojnë opozitën zyrtare. Deputetët e rinj, sipas akuzave të PD, LSI dhe partive të tjera, janë njerëz të blerë nga mazhoranca për të klonuar opozitën zyrtare. Në media dhe nga një pjesë e kandidatëve që nuk pranuan të merrnin mandatin flitet për të oferta deri në 300 mijë euro që u janë bërë njerëzve të opozitës nga Qeveria për t’u bërë pjesë e Parlamentit.

Deputetët e rinj, që cilësohen si tradhtar, u futën në Kuvend nga policia duke i transportuar me autoambulanca.

Para nisjes së protestës, Edi Rama mbajti një fjalim në Kuvend, i pari pas shumë javësh mungesë në punimet e Kuvendit. Kryeministri deklaroi se me deputetët e rinj, (ata që akuzohen si të blerë nga qeveria dhe tradhtarë të opozitës reale) ai do të ndryshojë Kodin Zgjedhor dhe do të zhvillojnë zgjedhjet vendore në qershor. Duke dhënë shenja se nuk do të tërhiqet, Edi Rama deklaroi se do të vijonte të qeveriste edhe pa opozitën.

Në kohën që Edi Rama fliste në Kuvend, mijëra qytetarë në shesh kërkuan rrëzimin e tij. Për rreth dy orë, gjithë kandidatët e PD, LSI dhe partive të tjera opozitare mbajtën fjalime ku denoncuan aferat dhe pazaret e qeverisë për të blerë opozitën e re.

Rreth orës 12:00 nisën incidentet e para Parlamentit. Qytetarë hodhën shashka dhe tymuese në drejtim të policisë, si dhe dogjën disa goma. Megjithë irritimin e madh të protestuesve, nga ana e qytetarëve nuk pati asnjë tentativë serioze për të çarë kordonin e policisë, apo për të goditur me sende të forta punonjësit e policisë. Qartësisht dallohej se përfaqësuesit e opozitës nuk nxitën qytetarët për dhunë, por pati vetëm incidente sporadike. Përfaqësuesit e partive kryesore opozitare, deklaruan se mesazhi nuk ishte dhuna, por mesazhi ishte pjesëmarrja e madhe qytetare për të larguar qeverinë “Rama”.

Rreth orës 13:00, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se të gjithë kandidatët e partive të opozitës që nuk kanë pranuar mandatin do të dorëzonin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve deklarimin e refuzimit të mandatit. Në këtë momente protestuesit dhe kandidatët janë nisur drejt KQZ. Policia e Shtetit kishte rrethuar godinën e KQZ dhe nuk lejoi qytetarët që të afroheshin në oborrin e institucionit. Ky ndalim i qytetarëve u cilësia si provokim dhe mes policisë dhe protestuesve pati momente serioze përplasje.

Është dashur ndërhyrja e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit për të qetësuar situatën. Me pas policia ka lejuar drejtuesit e opozitës dhe përfaqësuesit ligjorë të partive për të dorëzuar dokumentet e mos pranimit të mandatit nga ana e kandidatëve.

Protesta që zgjati rreth 6 orë dhe ishte një nga më paqësoret është mbyllur me thirrjen e krerëve të opozitës, për të zhvilluar tubimin e madh më 16 mars. Ky tubim ndryshe nga të tjerët do të zhvillohet para godinës së Kryeministrisë dhe pritet të jetë më masivi që opozita ka organizuar vitet e fundit.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi se tubimi i 16 marsit do të jetë njëlloj si ai i 20 shkurtit të vitit 1991, që solli dhe rrëzimin e komunizmit.

“Sot e kemi çuar një herë e mirë në shtëpi Parlamentin e krimit dhe kemi hapur shtegun e vetëm përmes të cilit do të kalojë e ardhmja e çdo shqiptari. Zgjidhja e vetme politike është largimi i një orë e më parë i kryezullumqarit Edi Rama. Ikja e tij është fundi i pjesës së parë të kësaj beteje e cila do të vazhdojë me bashkimin më të madh të shpresës dhe besimit që shqiptarët kanë njohur këto dekada. Regjimi i Edi Ramës ka marrë fund. I bëj thirrje shqiptarëve që të marrin pjesë në një hap tjetër të hapjes së portave të Evropës, në 16 mars, në protestën vendimtare për ta përcjellë kufomën politike të sektit kriminal të Rilindjes”, deklaroi Basha në mbyllje të protestës.

Me blerjen e deputetëve, deklaratat se qeverisë dhe bën zgjedhje pa opozitën reale, kryeministri Edi Rama vetëm sa ka shtuar mllefin e opozitës zyrtare. Protestat e radhës, më 16 mars, pritet të jetë më masivja, por edhe më e paparashikueshmja.

FOTO GALERI/Momente kryesore të protestës së sotme të opozitës 

SHKARKO APP