Basha: Bandat kriminale i kanë dhënë Ramës 10-15 mandate deputeti

Akuzë e fortë e kreut të PD. Lulzim Basha në një deklaratë për shtyp ditën e sotme, kreu i PD, Lulzim Basha, tha se kriminelët i kanë dhënë Edi Ramës 10-15 mandate.

Sipas liderit opozitar, lidhjet e krimit me qeverinë tashmë janë të qarta. “Çdo ditë që kalon po provon se çështjet dhe kauzat për të cilat Partia Demokratike ka luftuar me një kosto të lartë politike, më në fund janë të qarta para syve të gjithë shqiptarëve: Gjendja e drogës që ne denoncuam u bë e qartë për të gjithë shqiptarët; Kriminelët në Kuvend u bënë të qartë për të gjithë shqiptarët; Lidhjet e ministrave dhe politikanëve me trafikun e drogës u bënë të ditura. Tashmë kanë dalë në dritë edhe provat zyrtare, të krimit të të gjitha krimeve: marrja e pushtetit nga Edi Rama në bashkëpunim me krimin”,- tha Basha.

Kreu i PD-së u ndal në përgjimet e bandës së Shijakut nga të cilat rezulton se anëtarët e saj janë përfshirë në vjedhjen e votave. “Kriminelët e Fushë Krujës grabitën vota për Edi Ramë në zgjedhjet e 2017, nën drejtimin direkt të deputetit Rahman Rraja. Vetë djali i Rrajës u hetua për blerje votash dhe për kërcënim ndaj votuesve por hetimet ndaj tij u mbyllën”,- tha Basha.

E njëjta skemë tha Basha është ndjekur dhe për zgjedhjet në Krujë dhe vendet e tjera. “Grupi Rraja ka qenë i vetmi shtab elektoral i PS-së në Krujë aq sa Rraja i vogël ndihet oponenti ynë zgjedhor dhe sfidon opozitën në zgjedhje, duke provuar hapur se konkuruesi ynë zgjedhor nuk janë socialistët por janë kriminelët e rekrutuar nga Edi Rama. Përgjimet kane nxjerrë në dritë faktin se kriminelët e grupit të rrezikshëm Avdylaj kanë punuar për grabitjen e votave për llogari të PS, Vangjush Dakos dhe deputetëve të Edi Ramës. Bashkë me Ramën, në pushtet erdhën edhe Avdylajt, ndaj ky grup kriminal u fuqizua në një grup të rrezikshëm ndërkombëtar të drogës. Në përgjimet e Lezhës është e njejta gjë, Ndokat kanë qenë bandë elektorale e PS-së. Në Kavajë del qartë se Elvis Roshi ka bërë të njejtën gjë, së bashku me Gent Dajën. Madje aty krimi dhe pushteti edhe formalisht u shkrinë në një në personin e Elvis Roshit. Në Elbasan Qazim Sejdini ka bërë të njejtën gjë, trafikantët e drogës dhe pushteti i tij janë një.Njësoj në Dibër, Prokuroria ka një dosje tjetër ku hetohet për vjedhjen e votave në Dibër ku është përfshirë Ulsi Manja, Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri”,- tha Basha.

Duke bërë një përmbledhje të gjithë provave të fakturave, Basha deklaroi se “Sot mund të themi me siguri se krimi i ka siguruar Edi Ramës të paktën 10-15 deputetë përmes kërcënimit, grabitjes dhe blerjes së votës. Ajo që është e vërtetë është po ashtu se 2017 ishte përsëritje në përmasa edhe më të mëdha e 2013-s. Në 2013, modeli ishte që kriminelët vetë i bëri deputetë. Burimi i krimit në politikë, i korrupsionit dhe i rritjes së krimit në rrugë është krimi elektoral. Një pushtet që merret me ndihmëm e kriminelëve do të punojë me kriminelët për kriminelët: Një pushtet që buron nga krimi, do të ekzistojë si pushtet i krimit. Në momentin që Edi Rama vendosi të bashkëpunojë me krimin për të fituar zgjedhjet, në Shqipëri mori fund çdo lloj procesi politik. Mori fund cdo lloj mundësie që të qeverisej për popullin dhe në emër të popullit”.

Pyetjes së gazetarëve se si do ta realizojë rrëzimin e qeverisë, ai tha me “popull”.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/2274924882727602/

SHKARKO APP