Basha bashkon 22 parti opozitare: Votim elektronik ose nuk ka zgjedhje
Koalicioni i partive të opozitës nënshkroi sot një memorandum për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Janë të paktën 5 kushte që partitë e opozitës paraqesin para mazhoranrancës.
Kërkesa e tyre e patejkalueshme është votimi dhe numërimi elektronik. Memorandumi është nënshkruar pas një mbledhje të së hënës, ku i pranishëm ka qënë dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.
Kjo mbledhje vjen para seancës së parë të këtij legjislacioni, ku më herët PD është shprehur se do të radikalizojë qëndrimin e saj për sa kohë që nuk do të plotësohet kjo kërkesë.
Demokratët do të qëndrojnë fare pak të hënën në nisjen e sesionit parlamentar, aq sa kyetari i grupit Edi Paloka të zyrtarizojë qëndrimin e opozitës. Ky qëndrim i kushtëzuar pritet të konfirmohet në mbledhjen e grupit parlamentar dhe më pas të kryesisë së Partisë Demokratike.
DOKUMENTI I PARTIVE OPOZITARE/MEMORANDUM PËR GARANTIMIN E STANDARDEVE TË ZGJEDHJEVE NË SHQIPËRI
Ne partitë politike nënshkruese të këtij dokumenti,
- duke konsideruar se zhvillimi i zgjedhjeve të radhës për Kuvendin e Shqipërisë në përputhje me standartet e OSBE-së dhe të Këshillit të Europës janë domosdoshmëri dhe kusht i patjetërsueshëm politik për garantimin e demokracisë dhe integrimin europian të Shqipërisë;
- duke shprehur shqetësimin e thellë për përkeqësimin e standardeve të zgjedhjeve, të konstatuara nga Raporti Përfundimtar i OSBE/ODIHR për vitin 2015, ku nënvizohet ndër të tjera shkelja e standardeve themelore të OSBE si, liria e votës, barazia në kandidim dhe ndarja e shtetit nga partia, me pasoja jo vetëm mbi standardin e procesit zgjedhor, por dhe në besueshmërinë dhe legjitimitetin e organeve të zgjedhura;
- duke konsideruar si rrezikun më të madh dhe kryesor për procesin dhe standardet e zgjedhjeve të vitit 2017 fenomenin e shit-blerjes së votës dhe korrupsionin zgjedhor, përfshirë korruptimin e komisionerëve zgjedhorë, me para kriminale që burojnë nga niveli i paprecedent i narkotrafikut dhe korrupsioni galopant me tendera dhe koncesione publike, si dhe bërja palë e policisë së shtetit në këto fenomene dhe mosndëshkimi penal i tyre;
- duke konstatuar se në mënyrë të paprecedentë procesi i reformës zgjedhore është zvarritur për të bërë të pamundur sigurimin e standardeve ndërkombëtare kur mbeten vetëm 5 muaj nga data e dekretuar e zgjedhjeve; duke konsideruar se nje reformim pjesor i Kodit Zgjedhor që nuk garanton përmirësim të plotë të standardeve zgjedhore është një farsë dhe joefektiv;
parashtrojmë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme si më poshtë:
- Realizimin e (1) identifikimit biometrik të zgjedhësve, (2) votimin elektronik dhe (3) numerimin elektronik te votave nëpërmjet një sistemi të aplikuar në shklallë vendi që integron në një proces të tre komponentët e mësipërm.
- Dekriminalizimin e procesit zgjedhor nëpërmjet zbatimit me intensitet, shpejtësi dhe forcë të ligjit 138/2015 për dekriminalizimin si dhe dekriminalizimin e kandidaturave për zgjedhjet e radhës, dekriminalizimin e strukturave të fushatës zgjedhore të partive, largimin e bandave dhe elementëve kriminalë nga procesi zgjedhor, nga fushata dhe veçanërisht nga prania e tyre ditën e zgjedhjeve;
- Duhet të ulet kostoja e fushatës zgjedhore nëpërmjet reduktimit drastik të shpenzimeve për fushatë, të bëhet transparencë efikase e shpenzimeve dhe burimeve të financimit, të forcohen ndalimet për financimin e partive dhe të forcohen penalitetet në Kodin Penal, përfshirë cilësimin e shit-blerjes së votës si krim i rëndë;
- Të ndalohet rreptësisht përdorimi i burimeve njerëzore të admnistratës publike në fushatë apo strukturat zgjedhore partiake si dhe të ndalohet rreptësisht përdorimi i burimeve materiale të administratës publike;
- Garantimi i aksesit të drejtë në media dhe mbulimi mediatik si dhe reduktimi dhe normimi i hapësirës publicitare në fushatë zgjedhore, me qëllim sigurimin e një fushate të drejtë;
Mazhoranca aktuale dhe qeveria e saj kanë provuar në zgjedhjet e Korçës në vitin 2013, zgjedhjet vendore të vitit 2015 dhe zgjedhjet e Dibrës të vitit 2016, se synimi kryesor për to është fitorja me çdo kusht dhe duke shkelur standardet nëpërmjet shitblerjes së votës dhe përdorimit të segmenteve kriminale. Rritja dramatike e fenomenit të narkotrafikut i lidhur edhe me segmente shtetërore dhe korrupsioni qeveritar, janë rrezik i madh për procesin zgjedhor. Këta faktorë dëshmojnë mungesën e vullnetit të mazhorancës për të zhvilluar zgjedhje sipas standarteve demokratike.
Ne partitë politike nënshkruese të këtij memorandumi, konsiderojme se përmbushja e kushteve të mësipërme është një minimum i domosdoshëm dhe i pakapërxyeshëm për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm, të besueshëm dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Mospermbushja e tyre është tregues i qartë që zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë zgjedhjet që kërkojnë shqiptarët dhe që hapin rrugën e integrimit europian. Në këtë kuadër, ne partitë politike nënshkruese të këtij memorandum i kërkojmë shumicës qeverisëse si përgjegjësja kryesore për sigurimin e standardeve të zgjedhjeve, që të angazhohet për sigurimin e tyre nëpërmjet mbështetjes publike të kushteve të mësipërme dhe kontributit për realizimin e tyre
Tiranë, më 16.01.2017
PARTITË NËNSHKRUESE;
Partia Demokratike
Partia Republikane
Partia Demokristiane
Partia Levizja per Zhvillim Kombetar
Partia Agrare Ambjentaliste
Partia Bashkimi i te Drejtave te Njeriut
Partia Levizja e Legalitetit
Partia Balli Kombetar
Aleanca Kuqezi
Aleanca Ekologjike Europiane
Partia e te Drejtave te Mohuara e Re
Partia Kombetare Konservatore
Partia Popullore Kristiandemokrate
Partia Lidhja Demokristiane
Partia Ora e Shqiperise
Partia Bashkimi Demokratik
Partia Bashkimi Liberal Demokratik
Partia Konservatore
Partia Mendimi i Djathte Liberal
Partia B.P. Prensionisteve Shqiptare
Partia Demkoracia e Re Europiane
Partia per Liri Demokraci Etike
Partia Balli Kombetar Demokrat
Lajme të tjera në Koha Jonë për këtë argument:
OSBE rrëzon PD: Shumë vonë për votimin elektronik
Të enjten nuk do të ketë seancë plenare
PD fillon sot largimin nga Parlamenti
PD: Votimi elektronik, kërkesë e patejkalueshme
Blushi: Sot, Parlamenti i memecëve me muskuj