Lulzim Basha: Do djegim mandatet e deputetit publikisht tek Parlamenti
Një ditë pasi 33 deputetë të PS, LSI dhe PDIU firmosën dërgimin për miratim në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese ka ardhur dhe reagimi i selisë blu.
Partia Demokratike e cilëson si provokim të maxhorancës vendimin për të dërguar në Kuvend për miratim draftin e reformës në drejtësi dhe i druhet mundësisë që ky draft mund të marrë vota edhe prej radhëve të saj.
Lulzim Basha reagoi të shtunën përmes një deklarate shpërndarë për mediat. Ai thotë se kjo do të përshkallëzojë krizën dhe tensionin shoqëror në vend.
“Dërgimi në Kuvend i draftit të njëanshëm për ndryshimet kushtetuese, është një akt i ulët provokimi dhe një përshkallëzim i krizës dhe tensionit shoqëror në vend”, deklaron Basha.
Sipas opozitës, objektivi i Ramës është kapja e drejtësisë dhe sigurimi i paprekshmërisë për të.
“Kjo manovër do të dështojë me turp”, thotë Basha.
Kreu i demokratëve ripërsëriti qëndrimin se shprehur edhe më herët nga opozita, se nëse ka rrjedhje votash nga radhët e saj, atëherë do të djegin mandatet në grup.
“Çdo përpjekje për të trafikuar qoftë edhe një mandat të vetëm opozitar me paratë e pista të drogës dhe krimit qeveritar, do të rezultojë në djegien e mandateve opozitare si hapi i parë drejt përvëlimit të Parlamentit ilegjitim”, thuhet në deklaratë.
Sipas Bashës, kjo do të jetë edhe përgjigjia e merituar e popullit ndaj një qeverie.
Për opozitën ka vetëm një mënyrë që të kalojë reforma në drejtësi.
“Rruga e vetme për një reformë në drejtësi, që ndëshkon dhe nuk mbron krimin dhe korrupsionin, është zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias’, shprehet Basha.
https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/posts/1167205216663991