Lulzim Basha drejt fitores në PD

-Sondazhet tregojnë se Basha do marrë një fitore mbi 70 përqind nga anëtarësia, pavarësisht se Selami mbetet një figurë e nderuar dhe emblematike në historinë e PD-së.

Të shtunën 104 mijë anëtarë të Partisë Demokratike do të zgjedhin me parimin “një anëtar një votë” kreun e ri të selisë blu. Në garë është Lulzim Basha që kërkon mandatin e dytë për drejtimin e partisë dhe Eduard Selami, ish-kryetar i PD-së në vitet ’90 ( për pak kohë) që synon rikthimin në drejtimin e kësaj force politike.

Zgjedhjet zhvillohen në kohën kur PD-ja ndodhet në një nga momentet më kritike të saj që nga themelimi i saj. Partia më e madhe e spektrit të djathtë pësoi më 25 qershor një humbje tronditëse përballë Partisë Socialiste. Kjo disfatë elektorale ka shumë arsye dhe pjesë kryesore te tyre gjenden brenda PD-së. Sigurisht, pak më shumë së të tjerët faji shkon të Basha, si lideri që në momente të veçanta, siç është marrëveshja e 18 majit, nuk arritur të merrte vendimet e duhura, ndonëse ai ka deklaruar më vonë se ishte i detyruar nga ndërkombëtarët (amerikanët).

Pas humbjes dërmuese me 25 qershor, sot PD-ja ndodhet përballë dy dilemave. Të vazhdojë me Bashën, që pavarësisht të metave që tani ia thonë të gjithë në PD, ka krijuar një profil dhe model të vetin në politikë. Apo të nis një eksperiment tjetër politikë me një drejtues të ri? Sigurisht, Selami nuk quhet politikan i ri dhe ka mjaft përvojë. Por drejtimi i PD dhe partisë më të madhe në opozitë, në vitin 2017, kërkon një tjetër ritëm  dhe ku duhet që kryetari të jetë në sallën e parlamentit, atje ku bëhet përballja me qeverinë. Një lider që të bëhet pretendent për kryeministër duhet të kalojë në shumë terrene të panjohura. Duhet të përplaset, të njoh struktura, të krijojë imazhin e politikanit, por edhe të bëjë gabime, të provojë shijen e pabesisë, madje edhe të humbasë. Kështu ndodhi këto vite me Bashën. Kështu ndodhi dhe me Edi Ramën, në 8 vitet e opozitës përballë Berishës, kur thuajse i provoi të gjitha kusuret e një kryetari partie në opozitë.  Tashmë Basha i provoi të gjitha, i mbetet vetëm që të jetë fitues në sallën e parlamentit. Dhe jo të bëjë marrëveshje të dytë në dëm të interesave të vetë PD-së, por edhe të qytetarëve.

Duke pasur parasysh rrugën që ndjekin pretendentët për kryeministër në Shqipëri, Basha duket se ndodhet me shumë se në gjysmën e saj. Nuk mund të quhet i suksesshëm, për shkak të humbjes që ka në kurriz, por nuk mund të cilësohet as i dështuar. Lulzim Basha ka njohje direkte të strukturave, të gatshme për protesta në vjeshtë kundër qeverisë Rama. Ka shumicën e demokratëve pro tij. Ka liderin historik të PD-së krejtësisht pro tij.

A nuk ishte Berisha që ia dorëzoi PD-në, Lulzim Bashës? Po, ndaj dhe e mbështet prapë për kryetar, sepse pësimin e 25 qershorit, nuk e përsërit më, nëse don të vijë në pushtet.

Nga ana tjetër nëse Selami do të merrte PD-në, do t’i duhej po aq kohë sa i është dashur Bashës, mbi tre vjet të hyjë në strukturat e PD, të ndërtojë ekipin e ri drejtues dhe për pasojë do të kalojë në të njëjtin kalvar humbjesh dhe disfatash. Nëse ndiqet kjo rrugë, pas 4 vitesh PD-ja mund të bëjë të njëjtin debat që po bën sot për ikjen e kryetarit. Praktikisht do të mbetej në vendnumëro dhe pas çdo palë zgjedhjesh do e niste garën brenda saj nga e para. E njëjta logjikë vlen dhe për gjithë kritikët e tjerë të Bashës si Astrit Patozi, Jozefina Topalli etj, që më të drejtë kërkojnë një parti me standarde dhe garë me rregulla. Në gjithë historinë e saj, PD nuk është shquar për respektimin të rregullave në parti. Pas një disfate dramatike si ajo e 25 qershorit, PD nuk mund t’i kushtojë më shumë vëmendje rregullave të ngurta të statutit sesa interesit për ekzistencën e saj politike. Nëse ikën Lulzim Basha, PD-ja copëtohet në 400 copa!

Gara Basha-Selami në PD nuk mund të quhet e përkryer. Ka probleme statuore dhe politike. Por në fund, ndryshe nga sa kemi parë të ndodh në PS, të paktën në PD mund të thuhet se ka një garë. Eduard Selami këto ditë tregoi se nuk ka hyrë në garë për të legjitimuar thjesht Bashën, por sipas modelit të tij po jep atë kontribut që mendon se i duhet PD-së. Dhe duhet respektuar që mori guximin.

Përballë një kryetari që është provuar dhe një tjetri që nuk dihet çfarë do sjellë, demokratët kanë më shumë shanse të provojnë edhe një herë me Bashën.

 Qeveria e re e PS-së është në mandatin e dytë. Si rregull ky mandat është ai i arrogancës, vetëkënaqësisë, korrupsionit dhe abuzimeve. PS dhe Rama i kanë numrat për të bërë çfarë të duan me qeverisjen. Nëse opozita dhe konkretisht partia më e madhe PD do të jetë duke bërë sherre për postin e kryetarit, PS ka të garantuara dhe disa mandate të tjera qeverisëse. Ndaj lufta që po zhvillohet këtë muaj në PD vetëm sa garanton një qeverisje më të qetë të Partisë Socialiste. Berisha e di këtë gjë dhe ndaj ka vendosur të mbështesë në heshtje Lulzim Bashën.

Lulzim Basha është si ai studenti para temës së diplomës, që ka mbetur për vjeshtë, por që ka shans të dalë fitimttar, kurse Eduart Selami është në vitin e parë.

Sondazhet tregojnë se Basha do marrë një fitore mbi 70 përqind nga anëtarësia, pavarësisht se Selami mbetet një figurë emblematike në historinë e PD-së.

A.Mati

SHKARKO APP