Lulzim Basha fton qytetarët në protesën e 25 majit: Shqipëria si Europa

Opozita do të organizojë këtë të shtunë protestën kombëtare kundër qeverisë “Rama”. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka postuar në rrjetet sociale posterin e këtij tubimi, që pritet të jetë më i madhi i organizuar nga opozita. Me thirrjen “Shqipëria si Europa”, Basha fton qytetarët që të jenë të shtunën në sheshin përballë Kryeministrisë në orën 19:00.

Tubimi pritet të jetë më i madhi i organizuar që nga nisja e protestave të mëdha të opozitës më 16 shkurt. Protesta e 25 majit vjen pas dhjetëra tubimesh kombëtare dhe protesta në çdo qytetet të vendit, ku opozita kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të parakohshme.

Këtë të shtunë, tubimi i qytetarëve pritet të jetë dhe më vendimtar për zgjidhjen e krizës politike në vend. Në kohën kur vendi është përfshirë nga konflikti i ashpër politik, kryeministri Edi Rama e ka përkeqësuar dhe më shumë situatën duke deklaruar se do të shkojë në zgjedhje vendore pa opozitën. Një skenar i tillë ka sjellë reagime të forta në gjithë shoqërinë shqiptare, duke e cilësuar fushatën elektorale pa opozitën si një vrasje të demokracisë dhe pluralizmit.

Tensionet politike janë shtuar nga java në javë pas përplasjeve të dhunshme mes qytetarëve dhe forcave të rendit, të cilat kanë përdorur gaz lotsjellës si dhe shkopinjtë e gomës ndaj qytetarëve. Zgjidhja e krizës duket ende larg për sa kohë që kryeministri Edi Rama, jo vetëm nuk largohet nga detyra, por kërcënon me burg qytetarët që nuk do të lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve të organizuara vetëm nga një parti dhe ku në shumicën e 61 bashkive do të votohet vetëm për një kandidat.

E shtuna do të jetë një ditë tjetër vendimtare e përballjes mes opozitës dhe mazhorancës për largimin e kryeministrit dhe zgjedhjet e parakohshme.

SHKARKO APP