Basha i përgjigjet Hahn dhe Mogerinit: Votojmë Vettingun pas zgjedhjeve të lira
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar sot pas deklaratës së ashpër të dy komisionerëve të BE, Johannes Hahn dhe Frederika Mogerini që i kërkonin PD futjen në Kuvend dhe zbatimin e reformës në drejtësi. Shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini dhe komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn shprehin shprehur keqardhjen e tyre për bojkotin e Parlamentit nga opozita dhe mosregjistrimin e saj për zgjedhjet.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha jep disa argumente se përse, sipas tij, opozita ka bojkotuar Kuvendin dhe nuk merr pjesë në procesin e reformës. Kreu i opozitës premton se reforma do të vihet në zbatim vetëm pas zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Ka vetëm një garanci për largimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve të korruptuar: një veting i pavarur. Këtë veting do të bëjmë në Republikën e Re. Ne do të votojmë nga e para ligjin për vetingun dhe pesë ligjet e tjera të zbatimit të reformës në drejtësi, sipas marrëveshjes se 22 korrikut, për t’i kthyer ato tek fryma dhe gërma e 22 korrikut dhe, mbi të gjitha, për të garantuar një drejtësi të pavarur nga politika dhe nga krimi. Por së pari duhet të bëjmë #ZgjedhjeTeLira””,- shprehet Basha.
Ndërkohë, Basha shton se 7 ligjet për të cilat palët politike kishin rënë dakord me komisionarin Johannes Hann dhe përfaqësuesen e SHBA, Viktoria Nulland që të kaloheshin me konsensus, u votuan në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca.
Basha shprehet se nuk është PD ajo që i është shmangur reformës, por është mazhoranca ajo që ka votuar një variant të njëanshëm të 7 ligjeve.
“Opozita i qëndron reformës në drejtësi dhe konsensusit për zbatimin e saj të arritur unanimisht më 22 korrik 2016. Ne kemi votuar dhe do të zbatojmë reformën VETEM sipas formulës Nuland–Hahn dhe jo sipas formulës Rama–Tahiri–Shullazi. Pjesë thelbësore e reformës së 22 korrikut ishte edhe dakordësia për miratimin konsensual të shtatë ligjeve të zbatimit të reformës në drejtësi. Kjo dakordësi u shkel nga Edi Rama. Gjashtë nga këto shtate ligje u kaluan pa konsensus, duke përjashtuar opozitën me qëllimin për të shkatërruar reformën e vërtetë në drejtësi dhe për ta kthyer atë në një fasadë pas së cilës të fshihen të qetë të gjithë të korruptuarit dhe kriminelët”,- shprehet kreu i PD-së.
Sipas Bashës, “Ligji i miratuar në mënyrë të njëanshme nga Edi Rama nuk ka lidhje me këtë reformë dhe nuk i shërben vetingut, por kapjes së procesit të vetingut për të kapur pastaj gjithë aparatin e drejtësinë”.
Pas qëndrimit të dy zyrtarëve të lartë të BE-së pritej që PD-ja të rishikonte qëndrimet e saj. Por në deklaratën e bërë mbrëmjen e sotme nga Basha, jo vetëm nuk ka zbutje të toneve, por kërkohet që reforma në drejtësi të nis zbatimin pas ndryshimit të 7 ligjeve. Gjithashtu, Basha shprehet se procesi i reformës mund të vijoj normalisht, vetëm pas zhvillimit të zgjedhjeve “të lira dhe të ndershme”. Por për të realizuar këtë pikë, PD ka kërkuar largimin e Kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike.