Basha ka një zgjidhje: Mos njohje të 18 majit, opozitë të fortë ndaj Ramës

Lulzim Basha fitoi. Bile fitoi thellë, ndonëse dihej. Tashmë jemi para faktit të kryer që mbetet akt juridik dhe natyrisht politik, që Basha do jetë edhe për katër vitet e ardhshme kryetar i PD-së.

Lulzim Basha ka dy zgjidhje përpara nëse synon të jetë lider dhe të mbajë të bashkuar demokratët.

E para të deklaroj mënjëherë se nuk njeh marrëveshjen e 18 majit me Edi Ramën, pasi siç tha edhe vetë pas zgjedhjeve të humbura se “u vodhën, u blenë nga mafia e drogës dhe se Rama shkeli marrëveshjen”.

Këto i tha gjatë fushatës në PD. Pra të rrëzojë marrëveshjen e 18 majit, sepse faji i mbetet kryeministrit Rama, si dhe të kërkojë që në fillim se kjo qeveri është e përkohshme, pasi ka blerë zgjedhjet me paratë e drogës dhe që PD-ja kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare vitin e ardhshëm. Paralel me këtë krijon koalicion opozitar me LSI si dhe fillon një opozitë të fortë ndaj Edi Ramës, i cili ndjehet i fortë me 77 deputëtë (me PDIU dhe PSD), por nëse ka përballë një opozitë të bashkuar e të vendosur si PD-LSI, ai ndjehet i pasigurtë.

E dyta, Lulzim Basha duhet të vendos, sot, hapur dhe pa asnjë hezitim se PD-ja do të njohë fraksionet në parti, bile edhe me statut të ndryshuar. Dhe që të jetë lider më i fortë dhe të krijojë besim në një parti tashmë të përçarë, duhet të thërrasë kongresin e PD-së për ndryshime statuore, ku antiBashët të gjejnë veten në statut e jo nga mirësia e Bashës.

Kështu bashkohet PD dhe opozita e djathtë. Kështu mund të vijë në pushtet.

Por nëse luan kukufshehtas me Edi Ramën, nëse synon të dobësojë LSI me pazarin e 18 majit, nëse nuk bashkon seriozisht PD, atëhere Lulzim Basha do mbetet një njeri që drejton selinë blu, por që një çelës e ka edhe Edi Rama.

Në konferencën e parë të shtypit, pas rizgjedhjes, Lulzim Basha nuk përmendi 18 majin, as rrëzimin e qeverisë Rama dhe nuk tha asnjë fjalë për nisjen aksionit për krijimin e një FRONTI OPOZITAR kundër kryeministrit Rama.

Mundet ta ketë lenë për një ditë tjetër platformën e re për PD. Sot ishte në festën e fitores si kryetar, pasi mund të rrezikohej seriozisht nga Eduard Selami !

SHKARKO APP