Basha kërcënon: Burg për ata që guxojnë të prekin Teatrin Kombëtar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar ashpër për projektin e qeverisë për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Në një reagim në Facebook, Basha shprehet se kushdo ndërtues, arkitekt apo zyrtar që do të zbatojnë projektet e Ramës për ndërtime korruptive është duke ndërtuar burgun e tij.

Me tone kërcënuese kreu i PD-së paralajmëron edhe kompanitë që duan të ndërtojnë në zonën ku ndodhet Teatri Kombëtar. Basha shprehet se ata që do tentojnë të hapin gropën e ndërtimeve, janë duke hapur gropën e tyre.

“Dua t’i them troç çdo arkitekti të huaj e vendas, çdo funksionari, çdo drejtuesi nga më i parëndësishmi tek Edi Rama se do të përgjigjen para drejtësisë për këtë korrupsion masiv dhe krimin që po i bëjnë pasurive dhe parave publike.  Atyre që mendojnë se do të ndërtojnë, dua t’u them se ndërtimi do të jetë burgu i tyre. Dua t’u them qartë: gropa që mendojnë se do të hapin në truallin e teatrit do të jetë gropa e tyre”,- deklaron Basha në një postim në Facebook.

Kreu i PD-së e cilëson projektin e Teatrit Kombëtar si një plan kriminal për vjedhjen e pronës publike. “Projekti i teatrit kombëtar është projekt kriminal grabitqar. Ai ka vetëm një qëllim: grabitjen nga Rama të dhjetëra milionave euro. Njësoj si projekti i stadiumit, ku Edi Rama është pronari i vërtetë i gjysmës tij. Njësoj si projekti i unazës ku Edi Rama do vjedhë miliona euro. Një hajdut psiqik që nuk ngopet pa vjedhur të gjithë Shqipërinë”,- deklaron Lulzim Basha.

Reagimi i Lulzim Bashës vjen pas urdhrit që Ministria e Kulturës ka dhënë urdhër për zbrazjen e Teatrit Kombëtar, me qëllim për ta shembur.

SHKARKO APP