Basha: Këshilli i Evropës nuk e njeh 30 qershorin si ditë zgjedhjesh

Kryetari i opozitës Lulzim Basha në një deklaratë për shtyp nga selia e Partisë Demokratike u shpreh se Këshilli i Evropës nuk e njeh 30 qershorin si ditë zgjedhjesh.

“Sot bota perëndimore dha sinjalin e parë, të qartë dhe të prerë, se 30 Qershori nuk është ditë zgjedhjesh në Shqipëri.

Vendimi i Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale të Këshillit të Europës për të anulluar dërgimin e Delegacionit Vëzhgues për farsën elektorale që po tenton të zhvillojë Edi Rama, është fakt kuptimplotë se në 30 Qershor nuk ka zgjedhje në Shqipëri.

Për herë të parë nga rënia e komunizmit, Këshilli i Europës ka vendosur të mos dërgojë Delegacion Vëzhgues për zgjedhjet, pavarësisht ftesës që i ka bërë Qeveria shqiptare. Këtë vendim Këshilli i Europës e ka marrë jo sepse ia ka kërkuar opozita, por sepse 30 Qershori nuk është ligjërisht ditë zgjedhjesh në Shqipëri.

Ky është një vendim qartësisht politik sepse është një tërheqje që Këshilli i Europës nuk e ka bërë as për zgjedhje të zhvilluara në zona konfliktesh të armatosura apo konflikti civil nga Ukraina në Gjeorgji nga Armenia dhe Azerbajxhani apo edhe gjatë konfliktit të armatosur në Maqedoni.

Duhet të mbahet parasysh se Këshilli i Europës është institucioni kryesor i monitorimit të zgjedhjeve vendore nw Europw.

Tërheqja e Këshillit të Europës, institucionit kryesor europian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe demokracisë, është distancim i qartë nga votimet farsw një-partiake, anti-demokratike dhe anti-kushtetuese që kërkon të bëjë Edi Rama”, deklaroi Lulzim Basha.

Kreu i PD-së deklaroi se nuk do të lejojmë votime farsë.

“Asnjë hap pas! Në Shqipëri nuk ka dhe nuk ka për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme për aq kohë sa Edi Rama është kryeministër dhe për aq kohë sa kriminelët e politikës dhe të rrugës që vodhën zgjedhjet në Durrës, Dibër dhe gjithë Shqipërinë të dalin para drejtësisë.

Votimet e 30 qershorit janë nul, janë dhe do të jenë zero.

Ato janë tentativë për grusht shteti i Edi Ramës për të rrëmbyer të gjithë qeverisjen vendore të Shqipërisë, me të njejtat banda dhe kriminelë që ka vjedhur edhe zgjedhjet e 2015-s dhe të 2017-s.

Opozita dhe qytetarët janë në këmbë në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë!

Ne nuk do të lejojmë votime të paligjshme dhe farsë!

Nuk do të lejojmë që në Shqipëri të instalohet përfundmisht regjimi autokratik kriminal i Edi Ramës.

Ne nuk do të lejojmë që Edi Rama t’i shkojë deri në fund planit të tij kriminal për të mbajtur me dhunë pushtetin dhe për të destabilizuar vendin.

Asnjë hap pas!

Ne do t’i dalim për zot Shqipërisë”, u shpreh Basha.

SHKARKO APP