Basha: Kjo krizë nuk mbyllet me pazar. Zgjedhje normale me Ramën nuk ka

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka mbledhur sot kryesinë e partisë dhe ish-grupin parlamentar, ku iu ka kërkuar strukturave që të kenë angazhim maksimal, dhe duket se nuk do të ketë vend për pushime. Basha ka kërkuar që të ketë takime më intensive. “Të intensifikojmë takimet me qytetarët, refuzimin e 30 qershorit ta kthejmë në alternativë për të ardhmen”,- mësohet të jetë shprehur Basha në mbledhjen me dyer të mbyllura.

Duke u ndalur në votimet monopartiake të 30 qershorit, Basha u shpreh se Ramën e ka refuzuar edhe PS-ja. Ai vlerësoi se PD në këtë moment nuk duhet të jetë euforike.

Kjo krizë nuk mbyllet me pazar mes PS-PD, siç po flasin mercenarët e Ramës. Kriza zgjidhet me parime. Parimi i parë, është fundi i pandëshkueshmërisë i atyre që kanë vjedhur votat. Për këtë duhet drejtësi e pavarur, por drejtësi me Ramën kryeministër nuk ka për të patur. 30 qershori është dërrmimi më i madh politik dhe moral i ndonjë pushteti në këto 30 vjet. U faktua ajo që ne paralajmëruam: Është varreza politike e Edi Ramë”,- tha Basha.

Kreu i PD-së ka kërkuar angazhim më të madh të strukturave dhe takime derë me dere më qytetarët. “Duhet të jemi të qartë në mesazhet tona: Nuk ka kthim pas. Nuk ka ulje në tavolinë me Edi Ramen, me njeriun që vjedh zgjedhjet. Zgjedhje të lira me Edi Ramën nuk ka. Synimi ynë është largimi i tij, është qeveria tranzitore, është krijimi i kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme”,- tha kreu i PD.

Basha theksoi se protestat do të vijojnë bashkë me shpalosjen e alternativës qeverisëse të PD. “Do të vazhdojmë aksionin politik, do të vazhdojmë protestat. Është koha të bëhemi gati që përveç protestës, të shpalosim bashke me njerëzit alternativën, që shumicën Rama ik, shumicën që kërkon ndryshim ta kthejmë në një mazhorancë politike dhe qeverisëse”,- mësohet të jetë shprehur kryedemokrati Basha.

Duket se opozita do të vijojë dhe me protestat kombëtare, të cilat do të kenë si fokus kategori të caktuara qytetarësh, si fermerët apo kategoritë në nevojë.

Kryetari i opozitës Lulzim Basha foli me gazetarët pas mbledhjes së kryesisë. Kryedemokrati tha se prioritet i opozitës janë qytetarët. “Gjithë fokusi ynë do vendoset tek prioritetet e vërteta të njerëzve. Çlirimi nga mjerimi ekonomik dhe hapja rrugës për punësim dhe mirëqenie për çdo shqiptar. Kjo vjen përmes reformave ekonomike dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe për këtë beteja që ka nisur dhe që ka marrë mbështetjen e shqiptarëve do vazhdojë me fitoren e çdo shqiptari”,- deklaroi ai.

Kreu i PD-së u shpreh se opozita do të shpjegojë alternativën e saj për ekonominë dhe situatën politike në të cilën ndodhen vendi. “Drama më e madhe e madhe është ekonomia e shqiptarëve. 31% e familjeve nuk mbyllin dot shpenzimet e bukës mujore. Gjithë vëmendja dhe energjia jonë është përqendruar drejt ndryshimit që pret çdo shqiptar. Gjendja ekonomike do të ndryshojë përmes transformimit të ekonomisë duhet të zgjedhimin krizën politike deh kjo do zgjidhet përmes standardeve perëndimore.  Bashkë me qytetarët do i japim fund kësaj situate.  Këto ditë këto javë, do i japim fund projektit tonë të transformimit ekonomik dhe politik të vendit”,- deklaroi kreu i PD.

SHKARKO APP