Basha: Kolegji na tregoi se bojkoti i zgjedhjeve ishte akti i duhur. Më 30 qershor nis fundi i Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një konferencë urgjente për mediat, deklaroi se vendimi i Kolegjit Zgjedhor për dekretin e Presidentit të Republikës është i paligjshëm. Basha u shpreh se asnjë institucion veç Gjykatës Kushtetuese nuk vlerëson dekretin e presidentit. Kreu i PD-së shtoi se vendimi ishte marrë kohë më parë dhe ishte paralajmëruar nga gazetarët afër Edi Ramës.

“Kolegji zgjedhor ka marrë sot një vendim krejtësisht të parëndësishëm, por që po përdoret nga Edi Rama si makinacion për të krijuar një ligjshmëri fallco të votimeve farsë të 30 qershorit, të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po i pëgatit dhe zbaton në shkelje të Kushtetutës dhe të çdo ligji. Kolegji zgjedhor ka kompetencë vetëm shqyrtimin e mosmarrëveshjeve që lidhen me procesin zgjedhor, dhe vetëm në bazë të Kodit Zgjedhor. Asnjë institucion përveç Gjykatës Kushtetuese nuk mund të shprehet për dekretin e Presidentit të Republikës”,– deklaroi Basha.

Duke e cilësuar si një skenar të paralajmëruar, Basha u shpreh se akti i Kolegjit Zgjedhor i jep të drejtë edhe më tepër kauzës së opozitës duke konfirmuar se Edi Rama ka kapur çdo institucion.

Mbi të gjitha, vendimi i sotëm tregon natyrën fallco dhe fasadë të të gjithë sistemit institucional shtetëror, i cili ka humbur tashmë çdo funksion kushtetues dhe politik dhe është reduktuar vetëm në funksionin e fasadës, për të mbuluar dhunimin e Kushtetutës, të ligjit dhe të çdo norme demokratike nga Edi Rama. Pas parlamentit fasadë, prokurorisë fasadë, të gjykatave fasadë, të KQZ-së fasadë sot kemi edhe një kolegj zgjedhor fasadë, të cilat legjitimojnë në sipërfaqe sundimin autokratik të Edi Ramës. Me veprimin e tij, Kolegji Zgjedhor sot provoi edhe një herë se vendimi ynë për të mos hyrë në këto zgjedhje farsë ishte vendim i duhur”,- tha Lulim Basha.

Kreu i PD-së foli dhe për qëndrimin e opozitës më 30 qershor. “Sa i përket 30 qershorit, plani i Edi Ramës për destabilizm dhe luftë mes shqiptarëve, do të dështojë. Shqiptarët janë bërë bashkë si kurrë më parë në mbrojtje të demokracisë për të mos lejuar farsën elektorale dhe krimin kushtetues të regjimit autokratiko-kriminal. 30 qershori është dita kur nis fundi i regjimit të Edi Ramës.  Ju ftoj të jemi të vendosur dhe të bashkuar në këtë betejë për të ardhmen e fëmijëve tanë, për Shqipërinë si gjithë Europa, për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve“,- tha Basha.

LIVE - Kryetari Lulzim Basha, Komunikim me qytetarët 24 Qershor 2019

SHKARKO APP