Basha, kriminelëve: Shumë shpejt do t’ju sjellim Edi Ramën në qeli!
Nga qyteti i Shkodrës, Lulzim Basha ka bërë kërcënime të forta ndaj kryeministrit Edi Rama. Kreu i PD-së deklaroi se kryeministri e ka vendin në burg dhe opozita do të bëj çdo gjë që Rama të përgjigjet para drejtësisë për ato që ai i cilësoi krime.
Por në mesazhin e tij, Basha ishte dhe më i drejtpërdrejtë teksa ju drejtua kriminelëve që sipas tij, telefonojnë nga burgu Edi Ramës. Basha ju drejtua të dënuarve duke thënë se shumë shpejt Edi Ramën do e kenë në qeli dhe mund të komunikojnë normalisht. “Krimi është bashkëpunëtori më i ngushtë i Edi Ramës, për të qëndruar në pushtet. Askush më mirë se shkodranët nuk e di këtë. Disa prej këtyre kriminelëve janë prapa hekurave dhe vazhdojnë të bëjnë përpjekje për të drejtuar punët e tyre të pista nga burgu, për të komunikuar me Ramën. Por atyre u themi: mos u mundoni shumë për t’u lidhur në telefon me Edi Ramën. Së shpejti, do t’ua sjellim Edi Ramën aty ku jeni ju, bashkë më kriminelët e tjerë në pushtet. Beteja që ka nisur nuk do të njohë gjunjëzimin e Shkodrës. Krimi nuk do ta gjunjëzojë Shqipërinë. Liria dhe demokracia janë frymëzimi ynë. Çlirimi i Shqipërisë nga qeveria e lidhur me krimin është misioni ynë për të realizuar ëndrrën Shqipëria si gjithë Europa”,- deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Nga Shkodra, Basha ka komentuar dhe mbledhjen e parë të komisionit për reformën zgjedhore nën drejtimin e Damian Gjiknurit. Kreu i PD-së tha se ky nuk është komision reforme, por komision paraburgimi i atyre që vodhën votat. “Garancia e vetme është qeveria tranzitore pa Edi Ramën kryeministër. Përdhunuesi serial i zgjedhjeve, nuk mund të jetë kujdestar i zgjedhjeve. Për këtë duhet një reformë e vërtetë zgjedhore për të cilën pyeten qytetarët. Kam një mesazh për ata që janë ulur bashkë me Damian Gjinkurin, që duhet të ishte në burg për vjedhje votash, të ulur bashkë me ata që janë kapur në përgjime duke blerë e shitur vota, duke kërcënuar demokratët: Zonja dhe zotërinj, ai nuk është komisioni i reformës zgjedhore. Ai është, në pjesën më të madhe, komisioni i paraburgimit të Damian Gjiknurit me shokë”,- tha Lulzim Basha.