Basha-Kryemadhi: Më 16 mars protesta më e madhe dhe finale për rrëzimin e kryeministrit
Djegia e mandateve dhe protestat masive të opozitës kanë ndërgjegjësuar ndërkombëtarët se Shqipëria ka hyrë në krizë të pazakontë politike që kërkon zgjidhje urgjente. Pavarësisht qëndrimeve jo shumë të qarta që ndërkombëtarët kanë lidhur me aksionin e opozitës, tashmë ndodhen para faktit të kryer se qeverisja e Edi Ramës ka prodhuar një konflikt që rrezikon stabilitetin e vendit nëse nuk ndërhyhet në kohë. Dje ambasadorë të vendeve të BE dhe zëvendës ambasadorja e Shteteve te Bashkuara te Amerikës Leyla Moses Ones kanë zhvilluar takime të rëndësishme me përfaqësuesit e opozitës. Fillimisht përfaqësuesja e ambasadës së SHBA është takuar me kreun e PD-së, Lulzim Basha, ndërsa po dje është zhvilluar dhe një takim me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. Ky është takimi i parë publik që diplomatët e rëndësishëm në Tiranë zhvillojnë me drejtuesit e opozitës që pas djegies së mandateve. Në mënyrë jo zyrtare thuhet se ndërkombëtarët janë duke kërkuar pikat e përbashkëta mes palëve duke sugjeruar dhe uljen në takim mes përfaqësuesve të opozitës dhe kreut të qeverisë Edi Rama.
Por në qëndrimin e përfaqësuesve të opozitës edhe dje u dëshmua qartë se kryeministri Edi Rama është vetë kriza që po kalon vendi dhe nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes. Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi dje pas takimin me përfaqësuesen e ambasadës së SHBA dhe diplomatët e vendeve të BE se zgjidhja e krizës politike vjen pa dialog me Edi Ramën. Kreu i PD-së solli në vëmendje dhe marrëveshjen me Edi Ramën në vitin 2017, e cila sipas tij provoi se çdo pakt me Edi Ramën dëmton interesat e vendit. “Zgjidhja mund të vijë pa dialog me Ramën, sepse dialogu midis meje dhe zotit Rama (maj 2017) provoi të ishte i dëmshëm për interesat e Shqipërisë, në mënyrën se si u keqpërdor nga një njeri që hiqet sikur është kryetar i PS, por është reduktuar në një bashkëpunëtor të krimit të organizuar”,- deklaroi dje kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Në qëndrimin e Lulzim Bashës vihet re një ndarje e qartë mes Edi Ramës si Kryeministër dhe Partisë Socialiste. Ndërsa kryeministri ka vendosur të dialogojë me “opozitën e re” dhe deputetët që po ble me euro në Kuvend, duke shmangur çdo negociatë të mëtejshme me opozitën reale, kreu i P-së po kërkon negociatorë brenda Partisë Socialiste që nuk janë të përfshirë në kapjen e sistemit. Jo rastësisht, në qëndrimet e Lulzim Bashës dhe të Monika Kryemadhit u është bërë shpesh thirrje politikanëve të përgjegjshëm në Partinë Socialiste që të reagojnë për situatën në të cilën Edi Rama dhe sipas tyre “Sekti i Rilindjes” e ka futur vendin. Por cila do të jetë zgjidhja në momentin që as Edi Rama nuk reagon, as dhe brenda PS nuk ka reflektim të mjaftueshëm për të detyruar Edi Ramën që të tërhiqet përballë kërkesave të opozitës. Dje, pas takimit me diplomatët, Lulzim Basha theksoi edhe një herë se rruga e vetme e opozitës janë protestat dhe vazhdimi i betejës me mjete të tjera, përderisa dialogu me Edi Ramës nuk sjellë më asnjë rezultat. “Zgjidhja kur të gjitha pushtet janë të kapura, mbetet në dorë të popullit dhe populli ashtu siç e ka marrë në dorë, do të vazhdojë të ketë në dorë fatin e tij deri sa të kemi çlirimin e Shqipërisë nga krimi, një parlament dhe një qeveri të zgjedhur nga populli dhe jo nga kriminelët”,- deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha. Ndaj me 16 mars protesta do jetë finale kundër kryeministrit me një numër të jashtëzakonshëm qytetarësh. Pas 16 marsit nuk do ketë më protesta sepse atë ditë populli do të marrë fatet e tij në dorë.
Lulzim Basha dhe Monika kryemadhi janë duke bërë takimet e fundit këto ditë që data 16 mars të jetë protesta më e madhe në historinë e pluralizmit. Ata kanë plan sekret se si do ta përmbysin me datë 16 mars kryeministrin. Ndërkohë nën rrogoz edhe PS-ja po përgatitet pëe zgjedhje të parakohshme parlamentare për në muajin maj të këtij viti.