Basha në Ballsh: Rrugët politike mbaruan, ejani merrni në duar fatet tuaja
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijoi sot takimet me qytetarët në Ballsh duke u bërë thirrje që t’i bashkohen protestës së opozitës në datë 16 shkurt për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti.
Gjatë bisedave me qytetarët, Basha u shpreh se rrugët politike kanë mbaruar, ndërsa i ftoi që të marrin në dorë fatet e tyre. “Nuk ju thërrasë në Tiranë më 16 shkurt për të mbajtur një fjalim politik. Rrugët politike kanë mbaruar, në datë 16 merreni në dorë fatet tuaja. Lulzim Basha nuk ka më asnjë mjet politik. Duhet të kemi një qeveri kalimtare, ku vullneti juaj të marrë formë” tha Basha.
Mesazhi politik i kreut të PD-së, Lulzim Basha paralajmëron se në 16 shkurt opozita nuk do të zhvillojë një protestë të zakonshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Qëndrimi i kreut të PD-së së nuk do të mbajë vetëm fjalime dhe se qytetarët nuk do të vijnë për të dëgjuar atë do të thotë se tubimi opozitar është konceptuar ndryshe.
Në takimet e zhvilluar në rrethe, që janë dhe si parapërgatitje për mitingun e madh, janë qytetarët ata që kanë kërkuar nga Partia Demokratike dhe kreu i PD-së që mitingu i 16 shkurtit të jetë jo vetëm protestë me fjalime. Jo pak qytetarët kanë kërkuar që tubimi të kërkojë largimin e qeverisë “Rama” me çdo mjet. Kjo do të thotë se protesta opozitare nis më 16, por pjesë e saj do të jetë dhe reagimi qytetarë që do të detyrojë qeverinë “Rama” që të largohet.
Ndërkohë në një pjesë të qyteteve protestat kanë nisur edhe pa praninë e deputetëve të opozitës, duke kërkuar largimin e qeverisë. Ditën e sotme qytetarët e Burrelit marshuan për 30 minuta në këmbë për të protestuar në kryeqëzimin e Urës së Matit, në dalje të qytetit. Ata kanë bllokuar në këto momente rrugën nacionale në shenjë proteste ndaj qeverisë që sipas tyre po e varfëron gjithnjë e më shumë qytetarin shqiptar. Rritja e çmimeve, papunësia, largimi i të rinjve jashtë vendit, falimentimi i bizneseve dhe infrastruktura e munguar janë disa nga arsyet që i kanë nxjerrë në shesh qytetarët e Matit.
Pas protestave dje në Durrës, sot në Burrel dhe nesër në Elbasan, në shumicën e rretheve pritet të nisë vala e protestave në rrethe, për të kulmuar me protestën e madhe me 16 shkurt në Tiranë.
VIDEO/Takimi i kreut të PD në Ballsh
https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/284394032235166/