Basha dhe opozita: Zgjedhje parlamentare bashkë me vendoret, qeveri teknike zgjedhore
PD del në bazë për të theksuar se duhet të rrëzojmë qeverinë dhe sidomos kryeministrin Rama. E paralajmëroi lideri historik i PD-së, Sali Berisha kur tha se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje normale dhe duhet rrëzuar me forcë. Nga ana e tij Edi Rama ka tallur keq Bashën dhe Berishën, duke qenë i sigurtë se nuk do ta rrëzojnë dot.
Sot kreu i PD-së ishte në qarkun e Shkodrës, në një takim me fermerët, ku deklaroi platformën finale të opozitës. Ndërsa prezantoi programin e PD për bujqësinë me fermerë të Kosmacit në Shkodër, Lulzim Basha tha se me zgjedhjet e ardhshme vendore mund të kemi edhe zgjedhje te parakohshme parlamentare. Kjo është hera e parë që drejtuesit e lartë të PD flasin për zgjedhje të parakohëshme, që pas zgjedhjeve të vitit 2017.
Në fjalën e tij, Basha theksoi se çështja e zgjedhjeve të parakohëshme është në dorë të qytetarëve.
“Një test i madh po afron: vitin e ardhshëm do të kemi zgjedhjet vendore, të cilat mund të jenë fare mirë në të njëjtën kohë kohë edhe me zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, do të jenë një shans i jashtëzakonshëm që ju të ushtroni të drejtën që keni për të vendosur se çfarë qeverisje doni. Unë jam këtu për t’ju komunikuar bindjen time se gjithë problemet mund të zgjidhen nëse ushtroni me mencuri zgjedhjen e drejtuesve të duhur si në nivel lokal, edhe qendror”- deklaroi Basha ndër të tjera.
Në fjalën e tij, Basha u ndal në rrezikun e vjedhjes së votave dhe qeverisjes së deformuar që prodhon manipulimi i zgjedhjeve.
“Jemi futur në një rreth vicioz. E blejnë pushtetin me lekë dhe e përdorin për të vjedhur më shumë. Në këtë rreth vicioz janë një grup pushtetarësh që përfitojnë, por humb i gjithë populli. Në asnjë vend nuk janë braktisur fermerët si në Shqipëri” -u shpreh me tej Basha në takimin me fermerët.
Pra opozita e hodhi në tregun politik platformën e saj: Zgjedhje vendore dhe parlamentare në një ditë në qershor 2019. Pyetja mbetet publike: Si do ti realizojë opozita zgjedhjet në një ditë nëse Edi Rama nuk pranon? Por informacione konfidenciale thonë për “KJ” se do ta detyrojmë me forcën e protestave pa ndalesë të popullit si dhe me një qeveri teknike ku kryeministër të mos jetë Edi Rama.
Shpresojmë që Rama, të mos e detyroj popullin për protesta të dhunshme, theksoi burimi në selinë e PD.