Basha: Nuk do lejojmë emërimin e kryeprokurorit nga kryeministri Rama
Partia Demokratike nuk do të lejojë që Prokurori i ri i Përgjithshëm të zgjidhet nga Partia Socialiste. Dy javë para se PS të nis procedurat e votimit në Kuvend për një kryeprokuror të përkohshëm, ka ardhur mesazhi ultimativ i PD-së.
Në një konferencë për mediat, Lulzim Basha tha se nuk mund të pranohet që drejtuesi i organit të akuzës të emërohet nga PS. “Mjaftojmë të kujtojmë që të drejtën e votimit për kryeprokurorin e ka edhe Saimir Tahirin. E kanë edhe ata deputetë që sulmuan Prokurorinë dhe bllokuan arrestimin e Saimir Tahirit”,- tha Basha.
Kreu i PD-së shtoi se nuk mund të jetë nga PS-ja kryeprokurori kur nën hetim është Saimi Tahiri, Qazim Sejdini dhe Vangjush Dako.
I pyetur nga gazetarët se çfarë qëndrimi do të mbajë PD nëse PS-ja voton një prokuror të ri vetëm me votat e saja, Basha tha se opozita do të përdorë çdo mjet për të mos e lejuar që diçka e tillë të ndodhë. Kreu i PD-së nuk dha detaje mbi mënyrën sesi do të veprojë opozita, por la të kuptojë se do të përdoren të gjitha format. Një qëndrim i tillë, në momentin e një situate të nxehtë politike pritet të sjellë tensione të tjera në vend.
Në 4 dhjetor përfundon mandati i Adriatik Llallës dhe PS ka deklaruar se do të emëroj në këtë detyrë një prokuror të përkohshëm vetëm me votat e saj.
Në konferencën për mediat kreu i PD-së, Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama po përdor shtetin duke e kthyer në një organizatë kriminale. Kreu i PD-së tha se Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në një zonë të lirë për krimin. Basha u shpreh se mos arrestimi i oficerëve të policisë është dëshmia më e qartë e kapjes së shtetit.
“Kjo organizatë shtetërore kriminale, bandat që ajo kontrollonte dhe paratë e drogës u përdorën nga Edi Rama për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017 dhe ruajtjen e pushtetit të tij. Por këmbanat po bien për Edi Ramën. Ai e di se po i vjen fundi dhe po bën gjithçka për të vendosur nën kontrollin e tij të plotë edhe sistemin e ri të drejtësisë. Me një prokurori dhe drejtësi të pavarur, Edi Rama e di se nuk shpëton dot dhe se dita kur do të japë llogari para drejtësisë është vetëm çështje kohe”,- tha kreu i PD.
VIDEO/KONFERENCA E LULZIM BASHES
https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/1699022490148925/