Basha paralajmëron Ramën nga Shkodra: I ke ditët të numëruara!
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ndodhet sot në Shkodër në një takim për anëtarësimin e 200 të rinjve të këtij qyteti në PD. Në fjalën e tij, Lulzim Basha deklaroi se 11 javë nga nisja e protestave opozita ndodhet më afër fitores së betejës politike kundër qeverisë “Rama”.
Kreu i PD-së paralajmëroi kryeministrin Edi Rama që të heq dorë nga dhuna dhe arrestimet politike ndaj protestuesve dhe opozitarëve. Duke u ndalur në arrestimin e sotëm të ish-deputetit të PD, Klevis Balliu, Basha deklaroi se qytetarët nuk do të falin këtë sjellje të qeverisë dhe do t’i përgjigjen.
“Shqipëria është në udhëkryq njësoj si 28 vite më parë. Kanë dhunuar qytetarët e Tiranës që mbrojnë shtëpitë e tyre dhe mbajnë në burgje të burgosur politikë. Kur njerëzit tanë, përfaqësues të PD, si Klevis Balliu, u ngritën për të qëndruar në krah të njerëzve, kanë urdhëruar arrestimin e tij. Është dita kur Edi Rama do të kthejë të burgosurit politikë, po përdor policinë për të dhunuar qytetarët kundër ligjit. Ia them qartë e prerë: I ke orët e numëruara. Nuk pranojmë kurrë më që ligji të veprojë me 2 standarde, të nderojë e të mbrojë trafikantët e vajzave dhe grave, trafikantët e drogës dhe të dhunojë qytetarët e ndershëm, biznesin e ndershëm, ata që mbrojnë pronën dhe shtëpitë ë tyre”,- deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Duke u ndalur në aksionin opozitar, Basha kërkoi nga qytetarët e Shkodrës dhe të gjithë vendit që më 11 maj të jenë në protestën e madhe para Kryeministrisë. Basha u shpreh se kjo datë do të jetë beteja kundër qeverisë së krimit.
Kreu i PD-së shtoi se aktet që ka kryer kryeministrit Edi Rama këto vite janë dëshmi se kreu i qeverisë e ka vendin në burg. “Krimi është bashkëpunëtori më i ngushtë i Edi Ramës, për të qëndruar në pushtet. Askush më mirë se shkodranët nuk e di këtë. Disa prej këtyre kriminelëve janë prapa hekurave dhe vazhdojnë të bëjnë përpjekje për të drejtuar punët e tyre të pista nga burgu, për të komunikuar me Ramën. Por atyre u themi: mos u mundoni shumë për t’u lidhur në telefon me Edi Ramën. Së shpejti, do t’ua sjellim Edi Ramën aty ku jeni ju, bashkë më kriminelët e tjerë në pushtet. Beteja që ka nisur nuk do të njohë gjunjëzimin e Shkodrës. Krimi nuk do ta gjunjëzojë Shqipërinë. Liria dhe demokracia janë frymëzimi ynë. Çlirimi i Shqipërisë nga qeveria e lidhur me krimin është misioni ynë për të realizuar ëndrrën Shqipëria si gjithë Europa”,- deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.