Basha paralajmëron zhvillime politike pas takimit me ambasadoren e SHBA

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka pritur sot në selinë e PD-së, Ambasadoren e re të SHBA në Tiranë, Yuri Kim.

Pas takimit, në një prononcim për mediat, Basha ka paralajmëruar zhvillime dhe lajme politike. Basha tha se çdo zhvillim ka të bëjë me qëllimin e PD për të nxjerrë vendin nga kriza e rëndë politike.

Dita e zhvillimeve politike sot dhe atyre që do të vijnë do të jetë plot me lajme, me prioritete, me zhvillime. Për një gjë ju siguroj, se gjithçka që po bëhet po bëhet për t’i shërbyer një qëllimi që shkon përtej Partisë Demokratike dhe opozitës, qëllimi për t’u dhënë shqiptarëve një rrugë shprese dhe dalje nga kriza. Kështu që në këtë kuptim ndjehem i inkurajuar nga takimet sot dhe do të vazhdoj t’ju mbaj të informuar”,- deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Ambasada Amerikane në Tiranë zbardh se çfarë u diskutua në takimin mes ambasadores Yuri Kim dhe kreu të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ambasada Amerikane bën të ditur se gjatë takimit me Bashës, ambasadorja Kim nxiti palët politike që të qëndrojnë në tryezë dhe të përfundojnë Kodin Zgjedhor duke iu referuar kështu tryezës së Reformës Zgjedhore ku në të janë ulur edhe përfaqësues të opozitës jashtëparlamentare.

“Gjatë takimit të saj sot me Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, Ambasadorja Kim nxiti të gjitha palët të qëndrojnë në tryezë dhe të përfundojnë një kod zgjedhor.

Ambasadorja gjithashtu konfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për institucionet dhe praktikat demokratike në Shqipëri.” shkruhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA.

SHKARKO APP