Basha: Pas Kajmakut ka të tjerë me probleme ligjore. Në shtator nisim protestat

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një komunikim me gazetarët nga selia blu deklaroi se veç Agim Kajmakut ka dhe raste të tjerë të kandidatëve me probleme ligjore në PS. Basha tha se bëhet fjalë për dhjetëra kryetarë.

“Po shqyrtojmë të gjitha rastet, bëhet fjalë me dhjetëra kryetarë të kandiduar nga Rama. Dënoj heshtjen e Ramës, ka 24 orë që PD ka publikuar dokumentet që provojnë se Kajmaku ka shkelur ligjin dhe duhet sot të ishte marrë i pandehur, dënoj dhe heshtjen e Prokurorisë, që si një shtojcë e pushteti të Ramës, hesht prej 24 orësh”,- tha Basha.

Kreu i PD-së tha se heshtja e kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë, pas publikimit të dokumenteve nga PD është e pajustifikueshme. “Rama i dinte të vërtetat që sot i dinë të gjithë shqiptarët, se Kajmaku nuk mund të kandidohej. Ai tashmë ka llogari të hapura edhe me drejtësinë shqiptare. Nuk kemi asnjë të dhënë që prokuroria të ketë nisur procedurat për ta marrë të pandehur. Është e qartë se krimi mbështetet nga politika”,- tha Basha.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha paralajmëroi se në shtator protestat do të jenë edhe më të mëdha edhe më të fuqishme. “Opozita do të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë. Përveç protestave që do të jenë edhe më të mëdha edhe më të fuqishme në një situatë që është edhe më e vështirë dhe më e pakapërdishme do të fokusohemi edhe më shumë në zgjidhje që do u ofrojmë shqiptarëve“,- tha Basha.

Kreu i PD ka zbardhur detaje nga takimi me nënkryetaren e CDU/CSU, Katja Leikert, në zyrën tij, në selinë e PD. Sipas Bashës, takimi me delegacionin gjerman është një provë më shumë se zgjidhja e kësaj krize politike kalon përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Lulzim Basha deklaroi se opozita është në komunikim të vazhdueshëm me ndërkombëtarët për t’i dhënë fund krizës së thellë politike në interes të shqiptarëve.

Takimi me delegacionin gjerman është një provë më shumë që zgjidhja e kësaj krize kalon përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, ku qytetarët të kenë mundësi të thonë fjalët e tyre. Kjo do të thotë një qeveri tranzitore pa Ramën dhe zgjedhje të parakohshme në një ditë me zgjedhjet lokale. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me ndërkombëtarët. Pjesë e këtij takimi ishte edhe ky me nënkryetaren e CDU/CSU. Ky komunikimi do vijojë. Opozita e bashkuar dhe PD janë të vendosura për t’i shërbyer interesit të shqiptarëve. Kemi gati dhe jemi gati që bashkë me qytetarët dhe socialistët e ndershëm të dëshmojmë kapacitetet dhe vendosmërinë për t’i dhënë fund problemeve, që kanë bllokuar perspektivën evropiane të Shqipërisë”, deklaroi kreu i PD.

SHKARKO APP