Basha: Po përgjohet PD e diplomatët e huaj. Rama: Mjaft, na turpëruat!
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë akuza të ashpra ndaj Kryeministri, Edi Rama dhe Policisë së Shtetit. Në fjalën e mbajtur sot në Kuvend, Basha tha drejtuesit e Policisë së Shtetit kanë përgjuar kundërshtarët e Edi Ramës dhe diplomatët e huaj. Basha tha se nga frika e arrestimit drejtuesi i policisë që kryente përgjimet është larguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në Shqipërinë e Edi Ramës, Ministri i Brendshëm koordinon direkt trafikantët, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë përgjon paligjshmërisht kundërshtarët politikë të kryeministrit dhe diplomatët e huaj dhe sipas informacionit, gjyhnaqarin që mbante kufjet e ke nisur sot me urgjencë për në Amerikë para se t’i vinin prangat. Në Shqipërinë e Edi Ramës ata që kërkon interpoli i mbron policia edhe kur shpallen nga mediat botërore si eskobarë. Në Shqipërinë e Edi Ramës paratë shkojnë për ekspozita pikturash dhe udhëtime qejfi, por jo për makina policie dhe paisje për ta”,- tha Lulzim Basha.
I ashpër ka qenë sot kreu i PD-së Lulzim Basha, në deklarata nga foltorja e Kuvendit. Ai ka mbajtur një fjalim rreth 10 minuta ku foli për ngjarjen e 18 shtatorit ku pati një përplasje mes policisë dhe djalit të një biznesmeni. Basha akuzoi ministrat e Ramës si kordinuesit e trafikut të drogës në vend.
Pas deklaratës së Bashës ka reaguar kryeministri Edi Rama. Ai tha se qëndrimet e PD-së janë një trup për vendin. Rama theksoi se në vitin 2013 kur morën pushtetin socialistët, qytetarët kishin vetëm një problem, krimin e organizuar. Sipas tij, sot situata ka ndryshuar dhe kjo ka ardhur jo nga ekspozitat me piktura të kryeministrit, por nga puna e qeverisë në sigurinë e brendshme.
“Jam në dispozicion për të kuptuar dhe pranuar gjithçka që ne nuk e bëjmë mirë. Nuk e them kurrë që ne triumfuam përfundimisht mbi krimin, sepse kjo nuk ndodh. Nëse doni të kini një fije besueshmërie, dilni nga çadra, mbylleni çadrën dhe ballafaqohuni me argumente. Ua kam thënë në 2014 dhe 2015: vazhdoni se këtu do vini më pak. Dhe jo sepse ne i kishim blerë votat. Jeni në vete? Si blihen kaq shumë vota? E patë si u katandisët, nuk kapnit dot në mitingje as cepin e trotuarit. A jeni në vete? Na meruat, se jemi të gjithë shqiptarë. Ne nuk jemi djajë dhe ju ëngjëj dhe anasjelltas. Ejani në vete. Mos vazhdoni me këto përralla. Po të jemi pragmatikë, ju të tillë na duheni. Ejani në vete se na turpëruat”,- u shpreh kryeministri.
Teksa Basha e akuzoi Ramën për lidhje të forta mes qeverisë dhe krimit, në fjalën e tij Rama është shprehur se Basha bën akuza të tilla tek ndërkombëtarët dhe kjo sipas tij nuk i shërben PD. Më tej Rama ju drejtua grupit të PD-së se “ju as nuk skuqeni e as nuk zverdheni, as nuk nxiheni, kur e rimerrni dhe riartikuloni, termin e urryer; krim etnik”.
“Mora fjalën për një temë që lidhet me asaj që i punoni ju Shqipërisë kur flisni me të huajt. Kjo s’ka lidhje me atë që quhej dikur me nxjerrje të realitet.
Por ka lidhje me atë që kujt i shërbeni? Pasi ju nuk i shërbeni as Partisë tuaj Demokratike se kuponi as këtë interes. Jo më t’i vini në ndihmë Shqipërisë, pasi po ia hiqni partisë tuaj tullat një e nga një. Nëse do vazhdoni që të mos kuptoni se cili është roli juaj në këtë skenë. Pak që ju as nuk skuqeni e as nuk zverdheni, as nuk nxiheni, kur e rimerrni dhe riartikuloni, termin e urryer; krim etnik dhe kjo të çon te një pyetje, po ju politikanët etnik shqiptarë, çfarë jeni?”, tha Rama