Basha: Qeveria nuk ka plotësuar kriteret për negociatat; Rama po sulmon BE
Pas takimit që zhvilloi me ministrin e Jashtëm të Austrisë, Alexander Schallenberg, kryeopozitari Lulzim Basha theksoi se Qeveria e drejtuar nga Edi Rama nuk ka plotësuar kriteret kryesore të hapjes së negociatave.
“Ndamë së bashku shqetësimin për qëndrimin e shumë faktorëve evropianë në raport me mosbesimin që ka krijuar qeveria shqiptare duke mos plotësuar kriteret kryesore të hapjes së negociatave. I sigurova që opozita është vendosur të japë kontributin për të tejkaluar këtë krizë politike dhe problemet kryesore të shkaktuara nga kjo krizë dhe nga kjo qeveri, që janë pengesa kryesore për hapjen e negociatave”, tha Basha.
Kreu i PD-së theksoi se dështimi për katër herë për hapjen e negociatave është përgjegjësi vetëm e kryeministrit Rama. Sipas Bashës, Rama ka zgjedhur tani rrugën e sulmeve ndaj BE-së dhe opozitës shqiptare.
“Rruga që ka zgjedhur Edi Rama është rruga e gabuar në këtë javë që ka mbetur për marrjen e një vendimi të rëndësishëm për vendin tonë. Është rruga e njohur e sulmeve ndaj BE, ndaj qeverive evropiane, e sulmeve ndaj opozitës, medias dhe madje edhe ndaj qytetarëve, për të hequr përgjegjësinë nga i vetmi përgjegjës për këtë situatë. Dështimi për herë të katërt ka vetëm një emër: Edi Rama. Ai po tregon se është pengesa e vetme për të kaluar këtë krizë”, tha Basha.
Sa i përket krizës politike, Basha tha: “Opozita e bashkuar është në krye të detyrës, propozimi ynë për reformën zgjedhore është në tryezë. ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që Shqipëria të mos mbetet peng i korrupsionit, i lidhjes së politikës me krimin dhe kapjes së shteti. Përmes zgjidhjes krizës politike t’i japim shqiptarëve atë që meritojnë.“