Mesnata dyshe/Basha-Rama, çfarë pazari kanë bërë që nuk e tregojnë?!

Lulzim Basha dhe Edi Rama, pasi trazuan shtetin, njërëzit dhe ndërkombëtarët me destabilitetin e Shqipërisë, u takuan, u përqafuan dhe u mbyllën për tre orë në një zyrë në mesnatë.

Urimi vjen i sinqertë për gjetjen e një mirëkuptimi, pasi zgjedhjet duhet të jenë të të gjithë shqiptarëve dhe kjo falë investimit direkt amerikan, pa harruar edhe të BE, u arrit. Por të mësuar me marrëveshjet momentale shqiptare të këtyre 27 viteve, ku gjendet një zgjidhje sa për të kaluar krizën, dhe në thelb marrëveshja e re sjell prapë kriza të reja, lind e drejta publike për të ngritur dyshime. Pse i larguan partitë aleate dhe mbeten vetëm të dy kokë me kokë, ndërkohë që takimi nga PAA dhe PR ishte kërkuar për të të gjithë e me të gjithë? Çfarë u bisedua për mbi tre orë në mesnatë, sepse publikut që priste i thanë pak fjalë dhe një shtrëngim duarsh, pra asgjë konkrete? Edhe marrëveshja e mesnatës së vitit 2008 mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, u quajt historike dhe që “ zgjidhi krizën”, por pikërisht ajo marrëveshje skutash ndryshoi Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe masakroi krejt spektrin e ri politik shqiptar, duke çuar vendin në këtë krizë të re e cila ka  futur opozitën tre muaj në çadër.

Natyrisht që justifikimet e selive të PD dhe PS thonë se janë duke hartuar marrëveshjen e bërë mbrëmë dhe nuk mund të prononcohemi para se të firmoset. Por publikut i duhet thënë më përpara se të firmoset, pasi mund të jetë vetëm marrëveshje sa për të kaluar krizën e të dyve, por mundet të mos sjellë stabilitet afatgjatë. Ndaj duhet që Lulzim Basha dhe Edi Rama të flasin para medias e publikut se ç’po hartojnë, çfarë po gatuajnë në kuzhinën e pallatit të kongresve të rrethuar me gardën e Republikës.

Zakonisht kur dy liderë forcash kundërshtare rrijnë natën dhe më pas shtrëngojnë pjesën e parakrahut të dorës duke thënë se “jemi 100 përqind dakort me njeri tjetrin” nuk prodhojnë vendime prej shtetari, por për interesa personale politike.

Ndaj duhej e duhet të dalin para publikut para se të bëjnë fakt të kryer, se çfarë kanë gatuar në mesnatë në ditën e 17 majit, duke hyrë data 18 maj.

Natyrisht që ndërkombëtarët nuk duan sherre në një rajon problematik siç mbetet Ballkani Perendimor dhe urojnë Bashën e Ramën për marrëveshjen, ashtu sikursë uruan në vitin 2008 marrëveshjen masakruese të kushtetutës mes Berishës dhe Ramës. Gjithnjë e keqja bie mbi njërëzit e thjeshtë.

Të rrijnë tre orë mbrëmë dhe tre orë sot kokë me kokë, nuk besohet se po negociojnë për emra zv/ministrash, apo drejtorë policie!

Një pazar momental më të madh po e hartojnë, që duket se nisi në Vjenë, por që po përfundon përballë kullës së miliarderit shqiptar.

SHKARKO APP