Basha: Rama, kufomë politike! Asnjë bashkëqeverisje me atë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka hedhur poshtë dje çdo mundësi për një marrëveshje me Edi Ramën apo bashkëqeverisje me të. Në emisionin “Opinion”, kreu i PD-së deklaroi se “Edi Rama është një kufomë politike” dhe ideja për marrëveshje me të është propagandë që vjen nga zyrat e rilindjes. Deklarata e Lulzim Bashës vjen në momentin kur për shkak të reformës zgjedhore, zëra mediatikë afër qeverisë kanë folur se kjo reformë do të pasohet nga një bashkëqeverisje. Një ide e tillë dhe në formë thashethemi ka krijuar ide të gabuara mbi qëndrimet e Partisë Demokratike. Por dje, Lulzim Basha ka vendosur përfundimisht tu jap fund spekulimeve dhe qëndrimeve që flasin për pazare me kreun e qeverisë Edi Rama.
Në intervistën e dhënë dje, Lulzim Basha ka bërë dhe një hap më tej në qëndrimet e tij, duke premtuar publikisht se Edi Rama personalisht dhe ministrat e qeverisë së tij do të ndëshkohen për aferat korruptive. Basha deklaroi se pa ndëshkimin e Edi Ramës askush nuk do të besojë qeverinë që do të vijë më pas. “Pa ndëshkimin e krimeve, ajo shoqëri i përsërit ato. Duhet të ketë një thyerje dhe monumenti për ta thyer këtë rreth vicioz të së keqes, është tani. Jam shumë i ri për t’u koritur para shqiptarëve dhe kam ndërmend të dalë faqe bardhë para shqiptarëve dhe kam detyrim që të gjitha vjedhjet dhe krimet të shkojnë para drejtësisë. Karrierën e prokurorit e kam ëndërruar në rininë time, por zgjodha një rrugë tjetër. Jetojmë në një moment shumë interesant dhe shumë premtues, që t’i jepet fund kulturës së pandëshkueshmërisë”,- deklaroi kreu i Partisë Demokratike. Veç Edi Ramës, Lulzim Basha paralajmëroi dje se do të ndëshkohen edhe biznesmenët që janë në afera me qeveria. Konkretisht, Basha u shpreh se çdo biznes që do të afrohet për të ndërtuar te Teatri Kombëtar do të përballet me drejtësinë dhe institucionet e qeverisë.
Lidhur me reformën zgjedhore dhe zgjedhjet e ardhshme, Lulzim Basha deklaroi se opozita është gati të hyjë në çdo moment në zgjedhje. Kreu i PD-së deklaroi se nuk ka më asnjë dyshim se opozita, në çdo moment i fiton zgjedhjet. I pyetur nëse opozita do të bojkotojë zgjedhjet, Basha deklaroi se fronti opozitar do t’i fitojë zgjedhjet në çdo kohë. “Opozita po ndërton bashkë me qytetarët, bashkë me grupet e interesit që nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit tek fermerët, tek biznesi, tek të papunët, tek rinia e studentët, tek profesorët e universiteteve, aleancën më të madhe që ka njohur Shqipëria në këto 30 vite për t’u përballur dhe për të fituar mbi këtë minorancë”,- deklaroi kreu i PD-së. Basha deklaroi se ndryshimi i qeverisë dhe largimi i Edi Ramës nuk është më vetëm një kërkesë e qytetarëve shqiptarë, po edhe nga ndërkombëtarët. Për herë të parë, Basha deklaroi se ka ndërkombëtarë që tashmë po kërkojnë ndryshimin e qeverisjes. “Faktori ndërkombëtar është vetëdijesuar se ka ardhur koha për ndryshim”,- tha kreu i PD-së.
Në intervistën e dhënë dje, Lulzim Basha është shfaqur kërcënues ndaj Edi Ramës dhe bashkëpunues me çdo forcë politike dhe forum qytetar që kërkon largimin e kësaj qeverie. Me premtime të forta për ndëshkimin personal të Edi Ramës dhe me sinjalet për një mbështetje të ndërkombëtarëve ndaj opozitës, Basha shprehet i bindur se zgjedhjet e ardhshme do të sjellin largimin e kësaj qeverie.
Mili Xhani

SHKARKO APP