Basha: Rama na ka shpallur luftë. Do t’i përgjigjemi me çdo mjet
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në takimin e zhvilluar sot me drejtuesit e PD-së ka deklaruar se vendi ndodhet në një nga situatat më emergjente. Kreu i PD-së u shpreh se kryeministri Edi Rama i ka shpallur luftë opozitës dhe çdo qytetari të këtij vendi.
Duke theksuar se nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën, Basha e ka konsideruar krim procesin e 30 qershorit, veçanërisht në kushtet e dekretit të presidentit. “Duhet të mbrojmë vendin dhe qytetarët, Kushtetutën. Jemi në të drejtën tonë t’i përgjigjemi me çdo çmim dhe me çdo mjet”, është shprehur Basha.
Gjatë mbledhjes, Basha ka theksuar se strukturat e partisë janë në punë të pandërprerë. “Takime me qytetarët për t’u shpjeguar se Rama po bën ‘grusht shteti’. Është rrezik kombëtar, duhet ndalur menjëherë. Vendi rrezikon rikthimin e vizave, izolimin, regjim represiv përmes arrestimeve”, ka thënë Basha.
Opozita ka vendosur që protesta e madhe e radhës të zhvillohet me datën 21 qershor, në orën 20:00. Tubimi do të mbahet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para godinës së Kryeministrisë. Vendimi është marrë pas konsultimeve të Lulzim Bashës me aleatët dhe me forumet drejtues të PD. Protesta e datës 21 është lenë një orë më vonë se protestat e tjera që kanë nisur, zakonisht në orën 19:00.
Në kohën që kreu i qeverisë ka vendosur të hyjë në zgjedhje pa opozitën duke tentuar asgjësimin e saj, opozita ka rritur tonet e protestave. Protesta e 21 qershorit pritet të mos jetë si ato që kemi parë deri më sot.