Basha:Rama, oferta të ndyra për aleatët. 500 mijë euro e 15 deputetë për një parti
Kreu i PD-së, Lulzim Basha akuzoi sot Kryeministrin Edi Rama se u ka bërë oferta aleatëve të Partisë Demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet.
Në fjalimin e mbajtur në çadrën e PD-së, Basha u shpreh se kryeministri e sheh vendin si një lojë shahu dhe ai jeton jashtë realitetit.
“Rama u ka bërë oferta të ndyra aleatëve të Partisë Demokratike. Një partie i ofroi 15 deputetë që të merrte pjesë në zgjedhje”,- tha kreu i PD-së.
Ai shtoi se një tjetër kryetari partie “i ofroi 500 mijë euro për tu futur në zgjedhje”.
Kreu i PD-së konfirmoi edhe një herë qëndrimin dhe kushtet e PD-së për pjesëmarrjen në zgjedhje. “Kjo nuk është lojë shahu, siç thotë Kryeministri. Shqipëria nuk është lojë shahu, shqiptarët nuk janë lojë shahu. Ne kemi qenë të fortë por sot jemi edhe më të fortë. Kemi qenë të duruar, por sot do të jemi të paduruar. Zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe qeveri teknike”,- tha kreu i PD-së, Lulzim Basha.