Basha: Rama po shtyn 15 marsin, populli do dalë në rrugë

Fokusimi tek shtyrja e datës 15 mars, tregon mungesën e vullnetit nga ana e Partisë Socialiste. Kështu deklaroi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha menjëherë pas përfundimit të takimit në zyrën e tij me e Presidentin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë.

“Mund t’ju them se çdo ditë që kalon është me kosto të madhe për qytetarët shqiptarë. Çdo makinacion është i papranueshëm për opozitën dhe për Partinë Demokratike”, tha ndër të tjera Basha.

Një ditë më parë drejtuesi i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaroi se 15 marsi është afat i pamjaftueshëm duke kërkuar shtyrjen e tij për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Prononcimi i plotë i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Pyetje: Çfarë diskutuat me Kryetarin e Parlamentit të Austrisë?

Lulzim Basha: Dy janë problemet kryesore të Shqipërisë, dy janë çështjet kryesore të miqve tanë. Së pari, hapja e negociatave. Së dyti, zgjidhja e krizës politike në vend. Të dyja janë të lidhura me njëra-tjetrën. Austria ka mbështetur hapjen e negociatave, duke përqafuar kushtëzimin gjerman, që tashmë është kthyer në kushtëzim europian. Duke falenderuar Austrinë, i shpreha vendosmërinë e Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar për të bërë gjithçka për reformën zgjedhore dhe zbatimin e kësaj reforme përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Pyetje: Keni lançuar një platformë që tejkalon reformën zgjedhore dhe duket se prek thellësisht edhe Kushtetutën. A mendoni se kjo mund të aplikohet në zgjedhjet më të afërta politike?

Lulzim Basha: Objektivi kryesor i PD, i opozitës dhe qytetarëve shqiptarë është t’i japim fund kësaj krize politike. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe zgjedhjet legjitime vendore janë rruga për ta bërë këtë dhe ne duam që kjo të ndodhë një orë e më parë, por, sigurisht, me standarte, për t’u siguruar shqiptarëve votën e lirë.  Propozimet e tjera që unë kam parashtruar janë propozime, të cilat kanë të bëjnë me forcimin e kontrollit dhe balancave dhe rikthimin tek qytetarët të pushtetit që sot u është vjedhur nga ky pushtet dhe nga bashkëpunimi i krimit të organizuar me politikën.

Pyetje: Zoti Basha, ka një perceptim se duke u përqendruar tek çështje teknike, duket se po lihet mënjanë nga ana e PD objektivi politik për largimin e Ramës dhe i zgjedhjeve pa Edi Ramën.

Lulzim Basha: Ruajtja e vullnetit të qytetarëve, dhënia fund e shitblerjes së votave nuk është objektiv teknik është objektiv politik. Zbatimi i rregullave zgjedhore ekzistuese apo të reformuara, përmes një qeverie kujdestare pa Edi Ramën kryeministër, nuk është objektiv teknik, është objektiv politik. Nuk është objektiv thjesht i një partie. Është rruga për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo krizë dhe për t’u rikthyer shqiptarëve atë që u ka vjedhur ky pushtet i dalë nga bashkëpunimi i PS me krimin e organizuar.

Pyetje: Propozimi juaj mund të diskutohet përtej 15 Marsit, si një datë e vendosur për miratimin e reformës zgjedhore?

Lulzim Basha: Fokusimi tek shtyrja e datës 15 mars, tregon mungesën e vullnetit nga ana e PS. Këtu nuk kam gjë tjetër për të shtuar veç t’ju them se çdo ditë që kalon është me kosto të madhe për qytetarët shqiptarë. Çdo makinacion është i papranueshëm për opozitën dhe për Partinë Demokratike.

SHKARKO APP