Basha, Ramës: S’ka zgjedhje pa u ndëshkuar krimi elektoral i vitit 2017
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “nuk e lë luftën në mes” dhe se Partia Socialiste do të hyjë në zgjedhjet e 30 qershorit pa opozitën. Qëndrimit të Edi Ramës, i është përgjigjur nga Britania e Madhe ku ndodhet për një vizitë, Lulzim Basha.
Gjatë vizitës në Westminster (Parlamenti Britanik) Kryetari i PD Lulzim Basha dhe delegacioni që e shoqëron, zhvilluan një takim me kryesuesit e Grupit Parlamentar bipartizan për Shqipërinë në Parlamentin Britanik, deputetët John Grogan (kryetar i grupit) dhe Martin Vickers (nën kryetar).
Në këtë takim u diskutua gjerësisht për shkaqet e krizës politike në Shqipëri, për krizën kushtetuese, mungesën e Gjykatës Kushtetuese, mungesën e Gjykatës së Lartë, mungesën e një Prokurorie të pavarur që nuk i mbyll, por i heton dosjet e krimit të lidhur me pushtetin.
Pas takimit, Lulzim Basha theksoi dhe një herë qëndrimin e PD dhe opozitës për të mos hyrë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. “Zgjedhjet e diktuara nga krimi janë rrënja e krizës, sepse kanë prodhuar një parlament të diktuar nga krimi dhe jo nga vota e shqiptarëve. Politikanet që janë kapur në bashkëpunim me krimin e organizuar për të vjedhur zgjedhjet e 2017-ës, duhet të ndëshkohen dhe jo të promovohen. Pa shkëputur lidhjet e krimit me politikën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Largimi i qeverisë dhe kryeministrit të kapur në flagrancë duke bashkëpunuar me krimin për të shkatërruar procesin zgjedhor të 2017 dhe krijimi i një qeverie tranzitore janë mënyra e vetme për zgjidhjen politike të krizës”, – deklaroi gjatë fjalës së tij, Lulzim Basha.
Mesazhi i Lulzim Bashës i drejtohet kreut të qeverisë, Edi Rama, i cili në takimin e sotëm më kandidatët e PS deklaroi se zgjedhjet do të quhen me standarde edhe pa pasur në garë opozitën reale të vendit.