Basha reagon për Shkodrën: T’i nxjerrim nga zyrat dhe t’u vëmë prangat

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar për tensionet në Shkodër dhe marrjen e Këshillit Bashkiak nga Partia Socialiste.

Në një postim në Facebook, Basha shprehet se beteja e qytetarëve do të vazhdojë deri në nxjerrjen nga zyra të hajdutëve të kryeministrit Edi Rama.

“Beteja e sotme në Shkodër është beteja e çdo shqiptari që nuk pranon dhunën, hajdutërinë dhe kriminelët e Edi Ramës, nuk pranon papunësinë, padrejtësinë dhe arrogancën e Hajdutit Psiqik. Qëllimi ynë është t’i nxjerrim këta banditë dhe hajdutë nga institucionet, nga parlamenti, nga bashkitë e pushtuara dhunshëm, t’i nxjerrim nga lokalet dhe hotelet luksoze, t’i nxjerrim nga studiot e mediave të kapura, t’i nxjerrim nga ekonomia, e t’i çojmë para ligjit.

Tu vëmë prangat dhe t’i pastrojmë institucionet dhe rrugët e Shqipërisë, të pastrojmë ekonominë shqiptare nga këta banditë dhe hajdutë dhe t’ua kthejmë Shqipërinë njerëzve”,- shkruan Basha në Facebook.

Qytetarët e Shkodrës kanë protestuar sot kundër marrjes së bashkisë nga PS me votimet një partiake të 30 qershorit. Këshilltarët e PS u mblodhën për të konstituar këshillin, ndërsa jashtë godinës ka pasur përplasje mes policisë dhe qytetarëve. Pavarësisht protestave, kryetare e këtij këshilli është zgjedhur Brisela Kadia me 42 vota pro, ndërsa dy prej tyre janë shpallur të pavlefshme. Po ashtu në këtë mbledhje janë zgjedhur edhe tre nënkryetarët e tjerë. Ata janë Arvid Osja, Tereze Brigja dhe Suada Selimaj.

SHKARKO APP