Basha: S’ka zgjedhje pa largimin e Ramës dhe pa qeveri tranzitore

Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi sot në një prononcim për mediat, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD, se opozita është e vendosur në qëndrimin e saj për të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore, pa u plotësuar kushtet që janë largimi i Edi Ramës dhe qeveri tranzitore.

Basha u shpreh se nuk mund të ketë zgjedhje në këto kushte dhe çdo tentativë e qeverisë për të zhvilluar procese fasadë do të marrë përgjigjen e merituar nga opozita zyrtare.

Në fjalën e tij para mediave, Basha theksoi edhe një herë se me Edi Ramën kryeministër opozita nuk mund të zhvillojë asnjë proces dialogu dhe asnjë diskutim. Ndëkohë, Basha shtoi se shumë shpejt opozita do të paraqesë dhe projektin e saj për qeverinë tranzitore dhe për mënyrën sesi do të vijojë aksioni opozitar. “Largimi i Ramës është kusht i parë dhe i panegociueshëm për nisjen e dialogut politike me PS, dialog i cili duhet të çojë në një qeveri tranzitore me mandat për të përgatitur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në bashkëpunim jo vetëm me aleatët tanë politik, por me gjithë shoqërinë, gjatë ditëve dhe javëve në vijim ne do të shpalosim propozimet tona për mandatin e qeverisë tranzitore dhe propozimet tona do ti nënshtrohen një diskutimi publik, në mënyrë që mandati dhe detyrat e qeverisë tranzitore mos jenë thjesht kalkulim politik i opozitës së bashkuar, por të përfaqësojnë konsensusin më të gjerë shoqëror për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo krizë”, tha Basha.

Më herët, gjatë ditës së sotme, Kryesia e PD paraqiti tre pika kryesore ku do të fokusohet qëndrimi i opozitës lidhur me situatën politike.

Vendimet e Kryesisë së PD:

1. Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kriza e rëndë politike në vend, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave.
2. Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale; të pamundësojë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë.
3. Të mandatojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar për plotësimin e këtyre objektivave, përfshirë, mandatin dhe detyrat e Qeverisë Tranzitore dhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Deklarata e Lulzim Bashës për mediat pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/2273871902871451/

SHKARKO APP