Basha: Të dorëhiqet Saimir Tahiri. I lidhur me bandat dhe i paaftë
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha kërkoi sot largimin e Ministrit të Brendshëm, Siamir Tahiri. Në një deklaratë nga selia blu, Basha e cilësoi gjendjen e rendit alarmante.
Ai u ndal në ngjarjen e fundit në Elbasan, ku u vranë 3 persona dhe mbetën të plagosur 9 të tjerë. Sipas Bashës, kjo është dëshmi e mungesës së aftësive drejtuese në Ministrinë e Brendshme.
Veç kësaj, Basha akuzoi Tahirin si ministrin që është përfshirë në pazare me bandat e trafikut të drogës. “Përgjimet e partnerëve tanë e kanë kapur duke folur me drejtues bandash tha Basha”.
“Këto ekzekutime nuk janë larje hesapesh siç mundohet të lajë gojën qeveria por janë produkt i klimës së krijuar në vend, ku kriminelët, banditët, bandat, gjobëvënësit, trafikantët dhe vrasësit kanë njohje, lidhje, mbështetje, kanë Ministrin. Ndaj lëvizin lirshëm, mbajnë uniformnë e policisë së shtetit, vrasin dhe ekzekutojnë pa asnjë pengesë, pa ju hyrë gjemb në këmbë. Si për tu kujtuar gjithë shqiptarëve se në qeverisjen e Edi Ramës dhe Sajmir Tahirit, krimi ndihet dhe është çdo ditë në pushtet. Kjo situatë kritike për rendin dhe sigurinë është produkt i ortakërisë së qeverisë Rama me krimin, ortakërisë së Sajmir Tahirit me Habilajt, Shullazët, emërimit të dhjetra kriminelëve dhe trafikantëve në poste të larta, në shtet dhe polici”,- tha Basha
Ai shtoi se Ministri Tahiri e ka tradhëtuar detyrën, policinë dhe interesin e qytetarëve. “Ky Ministër që ndërmjetëson me vrasës me pagesë në zyrën e Ministrit të Brendshëm dhe rezidencat qeveritare, ky që i jep makinën personale trafikantëve të drogës, ky që e ka mbërthyer trupën e policisë së shtetit me persona të inkriminuar që ua ka vënë në krye, ky që vendos forcat operacionale dhe speciale në dispozicion të Shullazit, ky që u shfaqësohet në telefon baronëve të drogës kur kapen nga shërbimet partnere se nuk e kanë prej tij, ky që djeg provat në laborator për interesat e bandave të narkotrafikut, ky palo Ministër është fakt që frumëzon, inkurajon, i jep zemër dhe krah krimit dhe kriminelëve që të godasin me armë në dorë ditën dhe natën. Ky Minisitër e ka tradhëtuar policinë, interesin publik dhe qytetarët”,- u shpreh Basha.