Lulzim Basha: Zgjedhjet pa opozitën dhe pa dekret Presidenti nuk i lejojmë

Këshilli Kombëtar i PD është mbledhur për të diskutuar situatën politike, pasi presidenti Ilir Meta nxori dekretin e ri për shfuqizimin e 30 qershorit si ditën e zhvillimit të zgjedhjeve lokale.

Kreu i opozitës Lulzim Basha, mësohet të ketë deklaruar se objektivi kryesor i PD-së dhe i opozitës së bashkuar është largimi i kryeministrit Edi Rama, si mënyra e vetme për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.

“Ne ia dolëm që të ndalojmë procesin fals dhe kriminal të 30 qershorit. Tashmë është e qartë që nuk do ketë zgjedhje lokale pa opozitën”,- tha kreu i opozitës. Basha vuri në dukje se gjithçka ka ndodhur deri tani për frenimin e një procesi kriminal njëpartiak është meritë e drejtpërdrejtë e qëndresës së shqiptarëve të bahskuar, përtej bindjeve politike.

Basha përforcoi mesazhin kryesor të opozitës se “zgjedhjet pa dekret presidenti nuk janë zgjedhje dhe se zgjedhjet pa opozitën nuk janë zgjedhje”.

Kreu i PD u kërkoi anëtarëve të forumit më të lartë politik vendimmarrës të Partisë Demokratike që gjatë gjithë kësaj kohe të rrisin angazhimin publik qytetar në nivelin më maksimal. “Ne duhet të jemi gati të bëjmë detyrën tonë për të mbrojtur demokracinë dhe rendin kushtetues dhe për të mos pranuar asnjë proces votimi fallco, në shkelje dhe dhunim të Kushtetutës.”- u shpreh Basha.

Kreu i opozitës tha se këto javë janë përcaktuese për 10-15 vitet e ardhshme.

Nga mbledhjen me dyer të mbyllura të Këshillit Kombëtar të PD, kryetari i saj, Lulzim Basha, i ka kushtuar rëndësi të veçantë përgënjeshtrimit të çdo zëri që flet për marrëveshje të tij me Edi Ramën.

Dukë bërë të qartë se Edi Rama i përdor dezinformimin dhe thashethemet politike për të ngjallur dyshime dhe pasiguri, Basha deklaroi se “nuk ka asnjë negociatë me Edi Ramën. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pazar me Edi Ramën. Nuk ka as ndërmjetës dhe as kanale të fshehta mes meje dhe Edi Ramës”-tha Basha në mbledhjen e forumit më të lartë politik vendimmarrës në PD. “Ka dy gjëra që duhet t’i dini qartësisht- iu drejtua lideri i opozitës anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

  1. Largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm i yni. Kjo nuk ka ndryshuar.
  2. Dalja para drejtësisë e të gjithë atyre që vodhën votat tona, votat e shqiptarëve është kusht i panegociueshëm.

Duke theksuar këto dy pika që qëndrojnë në themel të kërkesave të opozitës, Basha u kërkoi anëtarëve të Këshillit Kombëtar të sqarojnë çdo demokrat dhe çdo qytetar që të mos bien pre e propagandës së Edi Ramës. “Ne nuk dolëm nga Kuvendi për të bërë pazar. Ne nuk bojkotuam zgjedhjet lokale për të bërë pazar. Ne nuk kemi shpallur largimin e Ramës për t’u ulur me të në tavolinë. Do të ishte çmenduri dhe nuk do të sillte asgjë të mirë për vendin”,- tha kryetari I PD, Lulzim Basha.

SHKARKO APP