Basha: Zgjedhjet u blenë. Qeveri antimafia për të pastruar politikën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi pasditen e sotme se blerja e votave në zgjedhje u provua nga një studim i Bashkimit Europian. Në një koment në Facebook, Basha citon raportin e 6 organizatave të financuara nga BE, i cili thekson se “mbi 20 për qind të votuesve u është ofruar para ose favore në shkëmbim të votës”.

Kreu i PD shton se kjo është prova se zgjedhjet janë manipuluar. “Numri i vërtetë është edhe më i madh, po të kihet parasysh se shumë persona zgjedhin të mos e tregojnë këtë të vërtetë. Studimi është një tjetër tregues i blerjes masive të votave nga Edi Rama me anë të parave të drogës dhe të krimit”,- tha Basha.

Kreu i PD-së  thotë se pas vjedhjes së votave, qeveria “Rama” është kthyer në një organizatë kriminale që pastron para për të mbajtur pushtetin. “Një pushtet që merret me krim, mund të mbahet vetëm me më shumë krim. Prandaj qeveria Rama u kthye gradualisht në një organizatë kriminale të përfshirë direkt në mbështetjen e trafikimit të drogës, në pastrimin e parave të drogës me anë të PPP-ve, në zhvillimin e një industrie mafioze të plehrave dhe aktivitete të ngjashme”,- shprehet Basha.

Në deklaratën e tij, pas qëndrimit vjedhjen e votave dhe krimin, Basha bën thirrje për qeveri antimafie që do të mund të shkëpusë lidhjet e pushtetit me krimin. “Në të njëjtën mënyrë, Edi Rama do vazhdojë të zhytet edhe më thellë në krim çdo ditë e më shumë që ai do të jetë në pushtet. Prandaj krijimi i një qeverie antimafia që i hap rrugë një reforme të mirëfilltë zgjedhore është hap i parë dhe i domosdoshëm për kthimin e legjitimitetit të zgjedhjeve dhe fillimin e pastrimit të politikës nga krimi”,- thotë kreu i PD-së.

Deklaratat e kreu të PD-së është në serinë e konstatimeve dhe retorikës së ashpër. Të thuash sot, gati 6 muaj pas zgjedhjeve, se votat u vodhën nuk është asnjë risi politike. LSI-ja e denoncoi që gjatë fushatës elektorale skemën e manipulimit, ndërsa PD heshti. Të kapesh pas një raporti të disa organizatave të shoqërisë civile të BE, nuk ka të njëjtin efekt siç do të kishte denoncimi në kohë i asaj që Basha e quan sot vjedhje të zgjedhjeve. Përkundrazi me heshtjen e PD para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, Basha ndihmoi në legjitimin e procesit elektoral dhe njohjen zyrtare të zgjedhjeve, përpara sa këtë gjë ta bënin ndërkombëtarët.

Po ashtu edhe qëndrimi i kreut të PD-së për Qeveri AantiMafie nuk është i ri. Teza për këtë model qeverisës ka gati dy muaj që qarkullon në ambientet politike. Me kanabizimin e vendit dhe me kriminanlzimin e disa segmenteve të shtetit duhet një ndërhyrje e fortë, , por problemi është sesi do të arrihet kjo gjë.

Kreu i PD-së ka kohë që flet me konstatime, deklarata të forta dhe me ndonjë ide të paqartë si Qeveria Anfimafia. Ajo që mungon në artikulimin e kreut të PD është mënyra sesi duhen ndryshuar gjërat. Në deklaratat e Bashës nuk flitet as për aksione dhe as për protesta, as për ide apo vizion të ri të PD si parti opozitare.

Duket sikur PD puna kryesore e PD është leximi para mediave i dosjeve me skandale që vijnë nga jashtë dhe konstatimi i raporteve për zgjedhjet me probleme. Opozita nuk bëhet vetëm me deklarata të forta, por me aksione të forta. Nëse situata është aq keq sa pretendon PD dhe Basha, një gjë është e sigurtë, me deklarata dhe konstatime nuk ndryshohet asgjë.

SHKARKO APP