Basha:Më 11 Maj hajdeni të largojmë me çdo kusht kryeministrin Rama

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është pritur me ovacione e duartrokitje, si dhe nën thirrjet “Rama ik” në takimin e pasdites së kësaj të enjte në qytetin e Gjirokastrës, ku ishin mbledhur kryetarë dhe anëtarë të degëve të kësaj partie në qarkun jugor.

“Ju falënderoj për këtë pritje kaq madhështore, nga shumë të rinj e të reja me në duar simbolet e Partisë Demokratike, flamujt e Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian dhe NATO-s. Sot është 9 maji, dita e Europës, e nga Gjirokastra, kjo energji frymëzuese për kauzën tonë të drejtë e të madhe i thotë çdo shqiptari e shqiptareje, pavarësisht bindjeve, moshës, krahinës, se ky komb është i bashkuar dhe i vendosur për Shqipërinë, si gjithë Europa”, tha Basha.

Sipas kreut të opozitës, me këtë thirrje nisi lëvizja studentore e Dhjetorit të ’90-s, me këtë u themelua e Partisë Demokratike dhe me këtë vijohet ende të luftohet sot për të shijuar pakëz Europë, në një rrugëtim plot sakrifica.

Pikërisht për shkak të masivitetit të mbledhjes së Gjirokastrës, Basha iu bëri thirrje të pranishmëve, por edhe të gjithë shqiptarëve, që të bashkohen të gjithë në protestën e 11 majit në Tiranë.

“Nuk është thjesht beteja për rotacionin politik, sepse ai është i pashmangshëm, por është beteja për të drejtat dhe vlerat europiane, duke nisur me votën e lirë. Nuk ka Europë për vendet që s’kanë votën e lirë dhe që qeverisen nga krimi. Nuk ka Europë në një vend që nuk respekton kriteret minimale të shtetit të së drejtës. S’ka Europë në një vend ku qeveria është bërë njësh me krimin dhe u ka dhënë oligarkëve të gjithë buxhetin e shtetit, tenderat dhe gjithçka”, tha Basha.

Sipas kreut të opozitës, pa u ndëshkuar vjedhësit e votave, nuk mund të kemi zgjedhje të reja, të lira e të ndershme.

“Beteja dhe zotimi ynë i parë është transformimi politik i vendit sipas standardeve europiane. Ne demokratët jemi të qartë e të vendosur. Në Europë shkohet me zgjedhje të lira dhe me balancim pushteti e drejtësi të pavarur”, tha më tej kreu i PD-së.

Në vazhdim, Lulzim Basha shpalosi edhe programin e forcës politike që ai drejton, nëse do të vijë në pushtet.

“Brenda 4 viteve të para, pensioni minimal do të jetë 25 mijë lekë në muaj. Do ta ndalim eksodin e mjekëve dhe infermierëve përmes rritjes së pagave në 1.200 euro për mjekët dhe 700 euro për infermierët. Kjo rritje do të jetë edhe një tregues indeksimi për të gjitha shërbimet e tjera në Shqipëri. Do të ndalim krizën e arsimit të lartë me dyfishimin e buxhetit. Buxheti do të subvencionojë në masën 100% tarifat e studimeve ‘Bachelor’ dhe ‘Master’ për të gjithë ata studentë që vijnë nga familje me të ardhura nën 64 mijë lekë, dhe 50% për pjesën tjetër. Do t’i japim fund emigracionit të të rinjve”, tha Basha.

Kreu i opozitës tha gjithashtu se inxhinierët e teknologjisë dhe elektronikës nuk do të shkojnë në punë të zeza në rrugët e Europës, por do të punojnë këtu në Shqipëri, sepse me sistemin e taksës së sheshtë 9%, vendi ynë do të thithë investime të huaja direkte, duke nisur me ekonominë gjermane.

Lulzim Basha nuk e kurseu gjuhën e ashpër për përfaqësuesen e lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, e cila krah Edi Ramës në Tiranë u shpreh optimiste për hapjen e negociatave.

“Miqtë e tij që vijnë për qokat e fundit para se t’iu mbarojë mandati s’e shpëtojnë dot nga ky realitet. Është Edi Rama pengesa kryesore për hapjen e negociatave, sepse është i lidhur me krimin. Kushdo që thotë të kundërtën, gënjen. Pak rëndësi ka në çfarë gjuhe e thotë, gënjen”, tha Basha.

Në fund Lulzim Basha u rikujtoi se duhet të vijnë të gjithë me datë 11 maj në Tiranë për ta përmbysur përfundimisht kryeministrin Rama ose kryeministrin e krimit, siç ai e quajti.

SHKARKO APP