Sherri për Parkun. Basha: Xhelat ! Përgjigjet Veliaj: Dallkauk !

Selia blu  bën thirrje shoqërisë civile dhe demokratëve të mbrojnë Parkun Kombëtar të Liqenit nga betonizimi i dyshes Rama-Veliaj. Kryeministri i ironizon në facebook 

Ka degraduar në dhunë, arrestime dhe përplasje mes forcave të policisë dhe opozitës protesta e radhës kundër ndërtimit të një këndi lojërash në Parkun e Liqenit në Tiranë. Këtë herë në krye të protestës nuk ishin përfaqësuesit e shoqërisë civile, por deputetë dhe drejtues të Partisë Demokratike. Rreth 30 protestues, mes të cilëve dhe ish-deputeti Ndriçim Basasi, u shoqëruan dje në polici. Një pjesë e tyre u arrestuan me akuzën kundërshtim me dhunë i forcave të rendit. Përplasja ndodhi rreth orës 11:00 të paradites. Deputetët e PS, Flamur Noka dhe Gent Strazimiri  si dhe përfaqësues të PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës thanë për mediat se ata dhe dhjetra protestues të tjerë janë goditur nga forcat e policisë. Pamjet filmike nuk janë të këndshme për policinë. Ndërkohë të lënduar ka pasur dhe nga radhët e policisë. Tre vajza të Policisë Bashkiake janë dërguar dje me urgjencë në Spitalin Ushtarak ku kanë marrë ndihëmën e parë për shkak të lëndimeve. Pas përplasjes së dhunshme në Kodrat e Liqenit, protesta e PD-së është zhvendosur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Veç përplasjes fizike në shesh tensionet nuk kanë munguar edhe në deklaratat e ashpra të politikanëve. Fill pas shoqërimit në polici të 30 protestuesve, kreu i PD-së Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat nga selia blu bëri thirrje për protesta masive në vend dhe përmbysjen me forcë të qeverisë. Ai akuzoi kreun e Qeverisë, Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj si njerëzit që për shkak të interesave klienteliste po lejojnë betonimin e Parkut të Liqenit në kryeqytet. “Kjo qeveri është mbi ligjin e jashtë ligjit. Kjo qeverisje e sheh veten mbi Kushtetutën e mbi ligjin. Qeverisja mbi Kushtutën e mbi ligjin është tirani. Tiranitë kanë vetëm një fat, ato të përmbysen”,- tha kreu i PD-së. Pas deklaratës, Basha së bashku me qindra demokratë është nisur drejt Drejtorisë së Policisë në Tiranë, ku për disa orë ka protestuar duke kërkuar lirimin e demokratëve të ndaluar.

Në kohën që Basha ndodhej në Komisariatin e Policisë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj vizitoi në Spitalin Ushtarak tre policet e lënduara nga përplasja me protestuesit demokratë. Veliaj i cilësoi protestat të turpshme dhe jashtë çdo standardi demokratik. Ai tha se do të zbatonte projektin e tij për Tiranën dhe nuk do të stepej para dallkaukëve që protestonin. Në qëndrimin e Velisjt pati dhe një mesazh për deputetët që morën pjesë në protestë. Duke ju referuar Gent Strazimirit  kryebashkiaku Veliaj u shpreh se protesta e djeshme ishte e denjë për botën e krimit.

“Nuk ka pikë burrërie që deputetë, njerëz  të veshur me imunitet përdorin një fjalor rrugaçëror, mbajnë armë, që i mbajnë zakonisht rrugaçët,kriminelët që ushtrojnë një dhunë që është e denjë për karaktere të botës së krimit. Këta që sot shiten përditë për dekriminalizimin, ne i kemi në Parlament dhe sot i kishim në ballë të vandalizmit të qytetit të Tiranës”,- tha Veliaj.

Protesta për ndërtimet te Parku i Liqenit nisi si një kauzë e shoqërisë civile. Deri dy ditë më parë, PD-ja e kishte mbështetur parimisht ndalimin e punimeve, por dje u vendos në ballë të protestës, duke sjellë dhe përplasje të ashpra. Me ngjarjet e djeshme reforma në drejtësi është bllokuar. Në mbledhjen e zhvilluar gjatë mbrëmjes, PD-ja vendosi vazhdimin e protestave deri në mosbindje civile. Pas kësaj, askush nuk do ta ketë më mendjen të reforma.

Selia blu duket e vendosur për të mos e lejuar betonizimin e parkut të liqenit, sipas saj, dhe për këtë ka bërë thirrje demokratëve të mblidhen për ta shkatërruar atë krim që po bën dyshja Rama- Veliaj tek Liqeni. Nga ana tjetër kryeministri ironizoi PD-në se gjoja ka gjetur “kalin e ngordhur” tek Liqeni dhe po gjen mënyrën për të thënë se është gjallë.

Por përplasja mes PD e PS do të jetë e fortë këtë radhë, pasi demokratët duken shumë të vendosur pas dhunës së djeshme që të mos tërhiqen.Situata po shkon pa e kuptuar drejt dhunës mës palëve. As Rama e as Basha-Berisha nuk tërhiqen përballë njëri tjetrit, por në këtë rast PD-ja është më e specializuar në përplasje kokë me kokë e duket se Rama do të tërhiqet.

Tërheqja e Ramës nga projekti i Eron Veliaj për parkun tek liqeni do të jetë një motiv më i madh i selisë blu për t’u hedhur në sulm për rrëzimin e kryeministrit socialist. Pra përplasja është e pashmangshme dhe nuk dihet se cili do të ndërhyjë për ti paqtuar e gjetur zgjidhjen.

Nëse PD-ja tërhiqet humbet elektoratin dhe motivin e qënies si opozitë. Aq me tepër që për Lulzim Bashën socialistët thonë se ka frikë nga përplasja. Të ishte Saliu e kishte pushtuar Parkun brenda ditës, thonë në selinë e PS-së. Por Basha është para vendimit të kthehet në  lider opozite apo të rrijë kryetar i PD-së. Lideri e përballon përplasjen.

 

 

 

 

 

 

SHKARKO APP