Qeveria Rama jep Bamir Topit të FRD zyrën ku ishte nënkryetar i PD-së
Bamir Topi ka qenë nënkryetar i Partisë Demokratike për shumë vite e më pas President Republike i propozuar nga ish-lideri i selisë blu Sali Berisha. Por fërkimet gjatë presidencës së tij me kryeministrin e asaj kohe Berisha çuan në akullnajë të marrëdhënieve mes tij dhe liderit të PD-së. Sidomos ngjarjet e 21 janarit ku u vranë demonstrues të opozitës para kryeministrisë sollën një prishje të çdo komunikimi zyrtar e miqësor mes të dyve.
Pas presidencës së tij Topi krijoi Frymën e re Demokratike (FRD) dhe në zgjedhjet e fundit vendore 2015 kaloi me PS-në e Edi Ramës në një koalicion, që solli kryetar të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Por zyrat e FRD-së tani u dhanë nga pushteti vendor, natyrisht me vendimin e kryeministrit Rama, pikërisht tek selia e vjetër e PD-së, ku dikur Bamir Topi ka patur zyrën si nënkryetar i selisë blu. Fryma e Re Demokratike, një forcë që tashmë i është bashkuar mazhorancës në pushtet është shpërblyer për lëvizjen e saj drejt socialistëve. Një pjesë të godinës po shfrytëzohet nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, një institucion në varësi të bashkisë së Tiranës.
Në një prononcim për Top Channel, nënkryetari i bashkisë, Arbian Mazniku foli me ironi për historikun e godinës, ku qëndronin zyrat e Partisë Demokratike për mbi 20 vjet.
“Tentativa për të bërë lidhje me historikun e vendeve është pak e çuditshme sepse nëse do të bënim këtë paralelizëm do të thonim që Partia Demokratike tani qëndron tek ndërtesa e SHQUP- it dhe duhet të përmendnim faktin që ka qënë ndertesa e SHQUP-it. Kam përshtypjen që ndërtesat janë ndërtesa dhe janë për funksione publike”, tha Mazniku.
Por dinakëria e pushtetit dhe loja për t’i ngritur nervat PD-së është kjo lëvizje, duke i dhënë pikërisht këto zyra që i kishte PD-ja për afro 20 vite. I ligjshëm mbetet si veprim i bashkisë, porse është dhe një përgjigje indirekte e FRD-së për ofertën e Lulzim Bashës kundrejt Topit. Imazhi i godinës historike të PD-së, ideja se FRD është PD-ja e dikurshme, loja e Ramës për t’i thënë Bashës me gojën e godinës se FRD-ja është me PS-në; të gjitha këto kanë qenë në mendjen e Edi Ramës kur ka urdhëruar dhënien e kësaj godine për zyra të FRD-së.
VENDIMI I PLOTE I QEVERISE RAMA:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3/k, 5, e 17, të ligjit nr.8744, ini 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të pasurisë nr.1/242, ndërtesë, me sipërfaqe 801.4m2, pasurisë nr.1/66, truall, me sipërfaqe 1266.6m2, dhe ndërtesë me sipërfaqe 183 m2, të ndodhur në zonën kadastrale 8150, Tiranë, sipas planimetrisë që I bashkëlidhet këtij vendimi, për t’u përdorur për interesa vendore.
2. Pronat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, t’i shtohen listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të Bashkisë Tiranë, e cila i bashkëlidhet vendimit nr.834, ini 13.12.2003, të Këshillit të Ministrave.
3. Ngarkohen Ministri i Brendshëm, Bashkia Tiranë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”, citon vendimi i qeverise.