BE: Shqipëria larg Brukselit. Zbatoni rregullat e demokracisë
-Strategjia e Komisionit Europian për Ballkanin Perendimor: Serbia do jetë në BE në vitin 2025, por nuk ka datë për Tiranën.
-Nëse PS-ja vrapon për të marrë gjithë pushtetet, ajo rrezikon të konvertohet në PD-në e vitit 1996-1997, ku tashmë dihet se çfarë ndodhi në Shqipëri.
Komisioni Europian publikoi dje Strategjinë e re për Ballkanin Perëndimor. Projekti i Brukselit është cilësuar si projekt historik, për shkak se që nga Samiti i Selanikut në vitin 2003, ky është dokumenti i parë ku BE shprehet qartë për të ardhmen e Rajonit. Dokumenti thotë qartë se vendi i gjithë shteteve të Ballkanit është në Bashkimin Europian dhe ky është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe Kosovën. Një ditë do të jenë pjesë e BE, por nuk thuhet se kur. Nëse për Serbinë dhe Malin e Zi jepet viti 2025 si data kur ata mund të jenë anëtarë të Bashkimit Europian, për Shqipërinë nuk fiksohet asnjë datë. Asnjë fjalë.
Shqipëria pret këto muaj që të marrë statusin e vendit kandidat, i cili do të ishte hapi më i rëndësishëm drejt integrimit në BE. Për këtë pikë, Komisioni Europian shprehet në mënyrë jo shumë të qartë. “Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit, në bazë të përmbushjes së kushteve”,- thuhet në dokument. E thënë ndryshe, Shqipëria është e mirëpritur në BE, por i takon qeverisë që të përmbushë kushtet që duhen për këtë proces. Me kushte nënkuptohen të gjithë kritikat që vijnë shpesh herë nga Brukseli për Tiranën; reforma në drejtësi, lufta ndaj krimit, trafiqeve, respektimi i të drejtave të njeriut, mos marrja e pushteteve të tjera nga kryeministri, largimi i mafias nga pushteti,etj. Këto janë ato që përfaqësuesit e Bashkimit Europian i quajnë “detyra shtëpie” dhe i janë dhënë qeverisë “Rama” me kohë për t’u plotësuar. Në fund vlerësimi do të bëhet në bazën e arritjeve konkrete dhe në këto momente, qeveria aktuale nuk ka shumë gjëra për tu mburrur. Pika më e fortë që është vlerësuar nga BE është miratimi i reformës në drejtësi. Bëhet fjalë për dokumentin e kaluar me shumicë votash dy vite më parë dhe që ishte hapi i parë i reformës. Aktualisht reforma ka ngecur, për shkak të qeverisë dhe nuk ka ende rezultate konkrete. Një gjë duket hapur; qeveria ka filluar me prokurorinë goditjet politike ndaj opozitës.
Dokumenti strategjik i KE ka karakter përgjithësues dhe shërben si pikë orientimi për qëndrimin e Bashkimit Europian në vitet e ardhshme. Për detajet konkrete të integrimit, janë një sërë mekanizmash të tjerë, si Këshilli i Ministrave të vendeve të BE dhe Parlamenti Europian që vendosin për çeljen e negociatave dhe pranimin e një vendi në Bashkimin Europian. Në Parlamentin Europian janë pro zgjerimit të unionit me Ballkanin, por dje është theksuar se nuk do të ketë tolerime për kriteret. Një deklaratë e Partive Popullore Europiane, që përbëjnë dhe shumicën e Parlamentit Europian dhe qeverive të vendeve të BE-së ishte shqetësuese për procesin e integrimit. PPE theksonte se “dera është e hapur për gjithë vendet”, por shtonte se nuk do pranohen të hyjnë shtete që kanë drejtësi të varur politikisht, korrupsion, drogë dhe krim. Është një deklaratë që vlen sidomos për ato që po ndodhin këto ditë në Shqipëri. Pas kalimit me konsensus të reformës, në muajt e fundit gjithë institucionet e drejtësisë po uzurpohen vetëm nga një forcë politike. Opozita në vend ka lëshuar alarmin se nga një drejtësi e korruptuar, vendi po shkon në një drejtësi monopartiake si në vendet e diktaturës. Në dokumentin e Komisionit Europian kishte dhe një rekomandim për zhvillimet politike. Përjashtimi i opozitës nga proceset dhe reformat në vend dhe marrja e gjithë pushteteve nga e qeverisë “Rama” duket se ka nisur të shihet si shqetësim në Bashkimin Europian. Ndaj dje, si rrallë herë, ambasadorja e BE në Tiranë foli për nevojën që mazhoranca të krijojë më shumë hapësira për opozitën. Mbetet të shihet sesi qeveria do ta përkthejë ftesën që ju bë nga Bashkimi Europian, ndonëse pak shpresë ka se do të heq dorë nga mbipushteti Edi Rama.
Dje Komisioni Europian i ka hapur rrugën Shqipërisë, por jo qeverisë. Nga kjo e fundit u kërkuan rezultate bindëse, që deri tani nuk i ka dhënë. Strategjia e BE që u prezantua dje flet për një vendim politik, ku Brukseli kërkon të anëtarësojë vendet e rajonit nga frika e ndikimeve të faktorëve të tjerë në rajon, si Rusia dhe Kina. Do ishte mirë për shqiptarët që të përfitojnë nga një vendim politik i BE, sepse kushtet ideale të integrimit dhe “detyrat e shtëpisë”, ka shumë mundësi që qeveritë tona të mos i plotësojnë asnjë herë.
Qeveria shqiptare ka nevojë të ndërrojë kurs drejtimi, pasi me yryshin që ka marrë do ta fus vendin drejt një përplasje civile siç deklaroi mbrëmë edhe deputeti Edi Paloka, një drejtues i rëndësishëm në PD.
Nëse PS-ja vrapon për të marrë gjithë pushtetet, ajo rrezikon të konvertohet në PD-në e vitit 1996-1997, ku tashmë dihet se çfarë ndodhi në Shqipëri
BE dje dha një paralajmërim të fortë ndaj qeverisë shqiptare.
Marios Ferrera