Ben Blushi: 20 arësye pse duhet bojkotuar Referendumi i Edi Ramës

Gjatë takimit të sotëm në Shkodër, deputeti Ben Blushi dhe kolegia e tij Mimoza Hafizi kanë parashtruar argumentet e tyre për të kundërshtuar referendumin që do të mabahet për zgjedhjen ose jo të kryetarit të PS-së.

Sipas Blushit Rama ka grabitur mandatin, prandaj po sajon një referendum.

Në përfundim të takimit me socialistë të Shkodrës, ai ka shpërndarë një letër, me 20 arsye që sipas Blushit e Hafizit duhet kundërshtuar referendumi i 9 prillit.

Pse jo Referendumit të Prillit

  1. Sepse në kongresin e Partisë Socialiste, 19 Mars 2016, ky Referendum u votua në kundërshtim të plotë me normat e PS-së;
  2. Sepse Kongresi u zhvillua mbi bazën e një rendi ditë të përcaktuar më parë, pa u lejuar të miratojë rendin e ditës së tij;
  3. Sepse pati kërkesë të një grupi delegatësh për shtesa në rendin e ditës, e cila nuk u lejua të votohej;
  4. Sepse në rendin e ditës nuk u përfshi detyrimi statusor për hapjen e procedurës së zgjedhjes së Kryetarit të Partisë Socialiste, ndërkohë që kryetarit i ka mbaruar mandati prej 3 vjetësh;
  5. Sepse Kongresit iu imponua iniciativa e një delegati të vetëm për referendum, ndërsa Statuti parashikon që iniciativa referendare i takon Asamblesë Kombëtare dhe me kërkesën e 20% të anëtarësisë së partisë. Iniciativa u shpreh në fund të punimeve të Kongresit dhe jashtë rendit të ditës;
  6. Sepse data e Referendumit u vendos në kundërshtim me Kodin e Zgjedhjeve në PS, i cili përcakton që referendumet nuk mbahen dy muaj para ose dy muaj pas kongresit;
  7. Sepse Kongresit nuk iu dha e drejta të njihet dhe të shprehej për pyetjen që do të shtrohej në Referendum;
  8. Sepse pyetja e bërë publike pas Kongresit është formuluar në kundërshtim me Statutin, nga njëri prej drejtuesve të seancës, i cili nuk ka të drejtë as të formulojë e as të shpallë pyetjen e referendumit;
  9. Sepse sipas Statutit njihen dy forma referendumesh, këshilluese dhe vendimmarrëse, të cilat vendosen në Kongres. Kongresi i 19 Marsit nuk u shpreh për formën e këtij referendumi, që do të thotë se vendimi i zbardhur, i cili parashikon formën vendimmarrëse, është antistatutor;
  10. Sepse Kongresi nuk u lejua të miratojë nen për nen Statutin e ri, çka vë në diskutim çdo vendim të marrë për këtë referendum;
  11. Sepse Kongresi ka zgjedhur si anëtarë të Asamblesë Kombëtare shumë persona të anëtarësuar në parti vetëm disa ditë para Kongresit, ndërkohë që neni 41.4 i Statutit kërkon një përvojë tre vjeçare në parti të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare;
  12. Sepse Kongresi ka zgjedhur si anëtarë të Asamblesë Kombëtare shumë nëpunës të shërbimit civil, ndonëse neni 41.4 i Statutit e ndalon;
  13. Sepse në këtë Referendum është e mohuar e drejta e fushatës për alternativat e ndryshme;
  14. Sepse ndonëse Kodi Zgjedhor i PS-së, në nenin 55.6, parashikon që “Alternativat referendare kanë të drejtë të kenë vëzhguesit e tyre në tërë nivelet Komisioneve të zgjedhjeve”, kjo e drejtë është shkelur;
  15. Sepse lista e zgjedhësve që kanë të drejtë të shprehen në Referendumin, e cila sipas Kodit Zgjedhor duhet të përfshijë vetëm anëtarët e partisë deri më 31 dhjetor 2015, nuk është bërë publike;
  16. Sepse ky Referendum tenton të zëvendësojë procesin e zgjedhjeve së Kryetarit të Partisë Socialiste, duke i hequr të drejtën e votës dhe kandidimit të anëtarëve të Partisë Socialiste;
  17. Sepse statuti i ri nuk u lejua të kalojë nen për nen në Kongres, për të fshehur ndryshimet thelbësore të bëra projektit të miratuar në Asamblenë Kombëtare. Ndryshimet pa autorësi që iu bënë Statutit të ri synojnë t’i japin mandat të përhershëm Kryetarit të partisë, i cili jo vetëm që nuk votohet, jo vetëm që mandatin nuk e fiton me zgjedhje, por as nuk dorëhiqet  kur partia humb në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare;
  18. Sepse në variantin e Statutit që miratoi Asambleja Kombëtare shkruhej “Mandati i Kryetarit të Partisë ndërpritet kur Partia humbet zgjedhjet parlamentare”, ndërsa në variantin që u kalua pa votim nen për nen në kongres, shkruhet se “Mandati i Kryetarit të Partisë ndërpritet kur Partia humbet vendin e parë në zgjedhjet përgjithshme”;
  19. Sepse historikisht që nga krijimi i saj, Partia Socialiste është votuar nga Shqiptarët si forcë e parë politike në vend,çka përforcon bindjen se neni më sipër është ndryshuar për ta kthyer të përhershëm mandatin e Kryetarit të partisë:
  20. Sepse sipas nenit 40.6 të Statutit të pamiratuar në Kongres “Kur partia është në qeveri dhe Kryetari i saj zgjidhet Kryeministër, zgjedhjet për Kryetarin e Partisë do të zhvillohen vetëm nëse kërkohet nga të paktën 10% e delegatëve dhe kërkesa merr mbështetjen e shumicës së delegatëve të kongresit në votimin që zhvillohet në Kongresin vjetor të partisë”, i jepet mundësia partive të koalicionit të vendosin për Kryetarin e Partisë Socialiste, mundësi që i hiqet anëtarëve të Partisë Socialiste.

 

b1

b2

SHKARKO APP