Ben Blushi: Ata që po dëmtojnë Shqipërinë sot quhen rilindas
Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi ishte sot në qytetin e Lezhës në një takim për prezantimin e librit të tij, “Kandidati”. Në sallën e bibliotekës së qytetit, Blushi ka bashkëbiseduar me të rinj dhe mjaft pjesëmarrës për librin e tij më të fundit, por jo vetëm.
Ai tha se romani “Kandidati” është një përpjekje për të treguar sesi në 25 vjet pas komunizmit, shoqëria vazhdon të vlerësojë dhe votojë individë mediokër dhe pa vlera për shoqërinë.
“Në 50 vjet u mësuam që mjafton të ishe komunist, apo të ishe me regjimin ishe shumë i mirë, pavarësisht çfarë kishe bërë, pavarësisht çfarë bëje, pavarësisht sa mediokër mund të ishe, pavarësisht çfarë vlerash morale mund të kishe… Në një qytet, që unë e përshkruaj në libër, ky njeri vlerësohet si nderi i qytetit. Kjo tregon sesa poshtë ka rënë morali jonë në këto 25 vjet. Një gjë që nuk ndodh askund…”, tha deputeti Ben Blushi.
Blushi tha se individë që nuk kanë asnjë meritë sot po ngrihen në piedestal. Në këtë pikë Blushi tha se njerëzit që po dëmtojnë interesat e vendit sot po vlerësohen dhe këta quhen rilindas.
“Ne kemi vlerësuar shumë kolaboracionistët në këto 25 vjet dhe kjo na ndëshkon. Sepse sa më shumë i dëmton interesat kombëtare apo interesin publik, aq më lartë ngrihesh në piedestal. Kjo është e vërtetë në sensin historik, por është e vërtetë edhe në ditët tona. Shumë njerëz që po e dëmtojnë Shqipërinë, në të gjitha kuptimet e fjalës, nderohen, vlerësohen, quhen rilindas, patriotë, njerëz të vlefshëm”,- tha ai.
Deputet i PS dhe shkrimtari Blushi tha se të rinjtë duhet të kuptojnë se parimet morale janë më të rëndësishme sa qeveritë dhe doktrinat.
“Shpresoj që letërsia dhe artet e tjera, që kanë lindur për ta purifikuar mendimin njerëzor, t’i japin pak mundësi brezave të rinj të kuptojnë se çfarë vlen dhe çfarë nuk vlen. Çfarë mbetet dhe çfarë nuk mbetet dhe në fund t’i ndihmojnë të kenë një set parimesh që nuk ndryshojnë, pavarësisht nga regjimet që kemi. Sepse parimet deformohen nga regjimet, por parimet mbeten dhe historia njerëzore ka treguar se parimet mbeten. Qeveritë ndryshojnë dhe doktrinat ndryshojnë”,- tha Ben Blushi.
Takimi u moderua nga drejtoresha e Biblotekës së Qytetit Lezhë, Suela Mino Bala dhe nga studiuesi i njohur i letërsisë, Behar Gjoka.
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=J1PcKDTUcEM&feature=em-uploademail” width=”560″ height=”315″]