Ben Blushi fiton me “Komplotin” çmimin “Sami Frashëri”
Në Art Galeri në Seferan të Bashkisë Belsh u zhvillua këtë prag fundjave një nga aktivitetet më të rëndësishme në kuadër të “Muajit të Letërsisë” i cili ishte edhe edicioni i parë i ndarjes së çmimit “Sami Frashëri” për shkrimtarë, studiues e botues për vitin 2024 .
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm akademikë ,figura të rëndësishme të Letërsisë dhe Artit si edhe të rinj e të reja të apasionuar pas Letërsisë e Artit. Në fund të aktivitetit u ndanë edhe çmimet ” Sami Frashëri” .Juria e edicionit të parë të çmimit “Sami Frashëri” e përbërë nga Namik Dokle ,ish kryetar Parlamenti dhe shkrimtar, Behar Gjoku, studiues, Gëzim Hoxha, arkeolog, Viola Isufaj, profesoreshë e Letërsisë Bashkëkohore në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Dega Gjuhë-Letërsi, Universiteti i Tiranës dhe Naim Gjoshi, kompozitor, shpallën fituesit e këtij edicioni. Çmimi “Sami Frashëri ” në letërsi ju dha shkrimtarit Ben Blushi për romanin ” Komploti”. Çmimi “Sami Frashëri ” në Publicistikë iu dha botuesit Bujar Hudhri për gazetën EXLIBRIS dhe Çmimi “Sami Frashëri ” në “Studime Albanologjike ” ju dha studiuesit Mariglen Kasmi për librin “Wilhelm Zu dhe Shqipëria”.
Nga ana e tij ,Namik Dokle, Kryetar i Jurisë së ndarjes së Çmimit “Sami Frashëri” u shpreh se kjo ditë është një ditë emocionuese jo vetëm për shkrimtarët, studiuesit dhe botuesit por edhe për Belshin dhe zonën e Dumresë ku fillon rrugëtimi i një eventi kaq të rëndësishëm.
Edicioni i parë i ndarjes së këtij çmimi me emrin e rilindasit të shquar nis në Belsh dhe do kthehet në një traditë të përvitshme të këtij qyteti qytet të vogël por me emër të madh. Belshi është më i bukur se bukuroshja e Belshit. Sot promovojmë një Çmim me shumë vlera me emrin e Sami Frashërit ,këtij dijetari, shkrimtari, publicisti, enciklopedisti ,i cili ka një nga veprat më të famshme” Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e çdo të bëhet”.
Si udhëheqës ideologjik, demokrat, mendje e ndritur prej dijetari, ai mbetet një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes. Ai dha kontribut në çdo fushë dhe pena e tij shkëlqeu kudo.Ai ëndërronte që Belshi të ishte kryeqyteti i Shqipërisë dhe Belshi e ka vendosur bustin e tij në pedonalen e këtij qyteti duke i shprehur mirënjohjen e përjetëshme për vlerësimin që i pati bërë .Në nderim të veprës së këtij rilindasi të shquar ,këshilli bashkiak i bashkisë Belsh vendosi këtë Vjeshtë krijimin e Çmimit vjetor me emrin e rilindasit të madh ,aktivitet mjaft i rëndësishëm letrar ky që do të kthehet në të ardhmen në një event të përmasave të kombëtare.
Ben Blushi, fitues i çmimit “Sami Frashëri” në letërsi me librin “Komploti” duke përshëndetur të pranishmit shprehu falënderimet e tij për jurinë dhe për lexuesit shqiptarë që kanë zgjedhur më së shumti këtë libër.
Si të gjithë ata që vijnë në Belsh edhe unë ,mendoj se Belshi është një mrekulli natyrore dhe Sami Frashëri ka patur të drejtë kur propozonte që Belshi të zgjidhej për kryeqytet dhe Belshi do kishte qenë kryeqyteti ideal i Shqipërisë. Faleminderit për çmimin për librin “Komploti” që është lexuar nga mjaft lexues këto kohë kur leximi nuk është më aq i preferuar.
Ne si shkrimtarë jemi të detyruar të përshtatemi dhe brezi i ri të kuptojë sesi do jetë Shqipëria pas 20,30,40 vitesh. Ne duam që Belshi dhe Shqipëria të mos shpopullohet sepse kemi një vend të mrekullueshëm. Edhe njëherë dua të vlerësoj themeluesit e këtij çmimit “Sami Frashëri” i cili promovon jo vetëm shkrimtarët ,studiuesit e botuesit por promovon edhe Belshin si një destinacion turistik mjaft i rëndësishëm i Shqipërisë”.BW