BEN BLUSHI: FLAMUJT E RRUGËS SË BOGDANËVE

Nga Ben Blushi-

Para se të them dicka më shumë për Rrugën e Bogdanëve, do tregoj shkurt historinë e saj.

Bogdanët që i kanë dhënë këtë emër rrugës, kanë ardhur në Tiranë ndoshta 120 vjet më parë. Në historitë entuziaste të Tiranës, të hedhura në internet, mund të lexosh se fisi i Bogdanëve ka ardhur në Tiranë para 500 vjetësh, cka nuk mund të jetë e vërtetë dhe ja pse.

Nga viti 1614 deri në fund të viteve 1800, pra për afro 150 vjet, Tirana ishte e përqëndruar në pjesën lindore pra në anën e sipërme të Xhamisë, Sahatit dhe Bashkisë së sotme.

Qyteti ishte i mbledhur përreth dy xhamive, asaj të Sulejman Pashë Bargjinit, ku është sot Ushtari i Panjohur dhe asaj të Ethem Beut që është në qendër. Kjo është edhe arsyeja pse Sahati i Tiranës, nëse e shikon nga sheshi Skënderbej, pra nga perëndimi, është pjesërisht i mbuluar nga Xhamia. Ky pozicion e ka një arsye dhe urbanistët e kohës nuk kanë bërë gabim, sic mendohet sot. Sahati u ndërtua për tu parë nga pjesa lindore e Tiranës, pasi në atë anë ishin shumica e shtëpive.

Sheshi Skënderbej dhe gjithë zona e rrugës së Kavajës dhe rrugës së Durrësit, pothuajse ishte bosh. Në këtë zonë deri në vitet 1900 ka patur një fushë që zgjatej deri në Laprakë, diku një varrezë dhe asnjë shtëpi. Në atë kohë qyteti i ngjantë një lagje me formë rombi ose bakllavaje që kishte këta kufinj.

Nëse kthehemi me fytyrë nga Mali i Dajtit, në krahun e djathtë, pra në Jug, Tirana mbaronte te Lumi i Lanës aty ku ndodhet Pallati i Pionierëve, Parlamenti, Pedonalja, Kalaja e Tiranës dhe Ura e Tabakëve. Në krahun e majtë,në Veri, Tirana shkonte deri te Rruga e Barrikadave,te Pesëmbëdhjetëkatëshi, afër shkollës Sami Frashëri, ku ka qenë teqja e Dervish Hatixhesë së famshme. Në Lindje, në drejtim të Dajtit, Tirana nuk e kalonte sheshin Avni Rustemi dhe Pazarin e Ri, ndërsa në Perëndim nuk shkonte më tutje se Banka e Shqipërisë dhe zona përreth Muzeut Kombëtar.

Kjo lagje përbënte Tiranën e fillimit të viteve 1900.

Rrugët e Kavajës dhe të Durrësit u ndërtuan pasi Tirana u bë kryeqytet në vitin 1920. Kjo do të thotë se edhe rruga e Bogdanëve, një rrugicë mes këtyre dy rrugëve është populluar pak a shumë 100 vjet më parë. Nëse Bogdanët do kishin ardhur në Tiranë para 500 viteve ata do ti kishin ndërtuar shtëpitë e tyre aty ku sot është Pallati i Kulturës dhe praktikisht, nuk do kishin më as shtëpi dhe as rrugë. Nuk them dot se nuk kanë patur fat.

Bogdanët, të cilët merreshin me qeleshe, pra ishin qeleshëpunues thuhet se kanë ardhur nga Bosnja dhe mbiemri i tyre sllav, ndoshta e provon këtë fakt. Bogdan është bashkimi i dy fjalëve sllave Bog,dmth Zot dhe Dan, dmth Ditë. Pra Bogdan ishte një njeri që ia kishte kushtuar ditën e vet, Zotit.

Këta u vendosën në rrugën e Bogdanëve e cila në kohën e komunizmit kishte një emër tjetër. Quhej Andon Zako Cajupi. Më vonë rruga u quajt Rruga Bogdani, por këmbëngulja e fiseve Bogdani, ndoshta për të mos u identifikuar me Pjetër Bogdanin, një prift katolik që u bë shkrimtar, si dhe nevoja për ta ndarë emrin e rrugës mes degëve të shumta të fisit, mesa duket bëri që rruga të emërtohet me shumësin e mbiemrit të vet, ose sic njihet sot, Rruga e Bogdanëve.

Bogdanët donin ti thonin Tiranës se nuk janë një, por janë shumë.

40 vjet më parë kjo rrugicë e mbushur me familje tiransish ishte shumë më e qetë dhe vilat në të dy anët e saj kishin shumë limonj, shegë e portokalle dhe pemë të tjera, frutat e të cilave binin në trotuar. E vetmja ndërhyrje që komunizmi bëri në rrugicën e Bogdanëve ishte shkolla, të cilës i vuri emrin Avni Rustemi.

Bogdanët njihen si zanatcinj të urtë dhe të painteresuar për politikën dhe nuk dihet cfarë marrëdhënie kanë patur me Ahmet Zogun dhe dajën e tij Esat Toptanin që Avni Rustemi e vrau në Paris dhe normalisht emri i kësaj shkolle që ka mbirë në rrugën e tyre, ka lidhje me faktin se Avni Rustemi u vra në Tiranë, gati 5 minuta larg Rrugës së Bogdanëve diku te Lidhja e Shkrimtarëve, ku kanë qene dhe varrezat e Tiranës, afër Hotel Interkontinental.

Sot Rruga e Bogdanëve, që ështe e vetmja rrugë që lidh me trafik Rrugën e Kavajës me Rrugën e Durrësit, është kthyer në një qytezë të vogël. Nëse ndonjë ditë Tirana bllokohet, ose disa pjesë të saj shpallin pavarësinë, Rruga e Bogdanëve mund t’ia arrijë të jetojë në mënyrë autonome, pa patur nevojë të importojë shumë mallra. Ajo mund të jetë e vetëmjaftueshme dhe të vëtëqeveriset, meqë ka edhe një minibashki në qendër të saj.

Në Rrugën e Bogdanëve ka gjithshka, që nga berberi, tek një qendër estetike për gra,një agjensi udhëtimi, fizioterapi, artikuj mjekësorë, trajtime lëkure, një restorant peshku, një kazan plerash, ndoshta me i bukuri në Tiranë sepse është i mbuluar dhe i dekoruar më lule, një shkollë fëmijësh, një dyqan që furnizon me pajisje shtëpije si cekicë, goxhdë,tuba,fleksibël, pinca, bojëra, furca, kova, fshesa,etj, të paktën tre supermarket, një qendër masazhi, një palestër, një restorant me guzhinë italiane dhe me muzikë cdo mbrëmje, disa kafene të vogla për banorët e lagjes që jetojnë me qiratë e të ardhurve,një outlet me rroba second hand, një ëmbëltore me cadra të bardha që bën bukë franceze dhe pa dyshim, akulloret më të mira në Tiranë, një dyqan lulesh të freskëta, një farmaci, një dyqan që shet verëra, një kompani security, kurse gjuhe për fëmijë, dy hotele, një avokat, një youth hostel ku mund te kalosh një natë me 10 euro, një fondacion turk që boton libra të cuditshëm, një dyqan që shët dyshekë dhe carcafë në të gjitha përmasat dhe ngjyrat, një autoshkollë, një bilardo që përdoret dhe si kazino pasmesnate, disa garazhe nëntokësore, një stacion taksish, cepin e njohur që të gjithë e quajnë Te Samsungu, si dhe të paktën dy rrobaqepësi.

Cfarë i duhet më shumë një rruge për të qenë e pavarur nga pjesa tjetër e qytetit?

Megjithatë duke renditur menunë e shërbimeve të Rrugës se Bogdanëve nuk i kam thënë të gjitha.

Rruga e Bogdanëve ka një zgjerim anësor, që dikur të conte te Rruga e Ambasadave.

Këto dy rrugica kanë qenë të lidhura me njëra-tjetrën, ndoshta 60 vjet më parë dhe mesa duket konkurronin kush kishte vilat më të bukura. Konkursin e fitoi Rruga e Ambasadave, e cila për këtë shkak iu dha ambasadave, që u vendosën aty. Meqë, gjatë komunizmit, shqiptarët dhe të huajt ishin të ndarë me kufi të pakalueshëm, kështu duhet të jetonin të ndarë edhe në mes të Tiranës.

Kur iu dha të huajve, Rruga e Ambasadave u mbyll me mur dhe u nda nga motra e vet Rruga e Bogdanëve. Në vitin 1990 ky mur u rrëzua në tokë nga një kamion dhe mijëra njërëz kaluan atje për tu futur nëpër ambasada. Megjithëse Shqipëria u hap, muri u ngrit. Ai mur është akoma aty, si një kufi, me gjithë kërkesën e banorëve për ti bashkuar dy rrugët me një kalim të thjeshtë këmbësorësh.

Por nëse Rruga e Ambasadave frekuentohet vetëm nga shqiptarë, që shkojnë për të marrë viza, Rruga e Bogdanavë është mbushur me të huaj që vijnë për të rregulluar dhëmbët.

Në rrugën tonë atyre nuk u kërkohet asnjë vizë. Ata janë kthyer në banorë të rregullt që i shef në ashensor, që zënë rradhën te berberi, që bërtasin sa herë fiton Milani dhe që i japin shumë pak bakshish kamarierëve të lagjes. Në përgjithësi janë pleq pa dhëmbë, që flenë herët,që vishen në mënyrë modeste dhe që hanë shumë pak, por shumë shpesh.

Njeriu që i ka kthyer Bogdanët në një destinacion ndërkombëtar, është Dritan Gremi, një emigrant që është kthyer nga Italia dhe ka ndërtuar klinikën Gremi, e cila i bën evropianët e plakur me dhëmbë të rinj, të montuar në Shqipëri. Gremi, që harxhon pjesën më të madhe të kohës dhe të pasurisë për të sjellë gazetarë të huaj që të shkruajnë për Shqipërinë,ka marrë me qira më shumë se gjysmën e kateve të para të Rrugës së Bogdanëve. Aty ushqen të huaj dhe shqiptarë me pica dhe makarona, heq dhe vendos dhëmbë, e bën akullore dhe bukë franceze të cilësisë së parë.

Gremi i ka dhënë rrugës së Bogdanëve një dimension të ri. E ka kthyer në një rrugë më internacionale se vetë Rruga e Ambasadave.

Ai ka bërë realitet një shprehje që diplomatëve të huaj ua thoshin në vitet e komunizmit kur i caktonin për të shërbyer në Shqipëri. Do shkosh në Shqipëri të lesh dhëmbët.

Nëse do e kishte bërë këtë gjë gjatë rregjimit komunist, të cilin Gremi e urrren, me siguri do ishte dekoruar si një njeri që u shkul dhëmbë e dhëmballë imperialistëve dhe revizionistëve të huaj. Por Gremi është një kapitalist i kulturuar, që ëndërron të bëjë një muze kundër diktaturës si dhe një prive ku pihet konjak në dimër.

Ditët e fundit ai shkoi edhe më larg në aventurën e tij, për të krijuar një rrugë internacionale në mes të Tiranës. Ai e mbuloi gjithë qendrën e Rrugës së Bogdanëve me Flamujt e Evropës. Tani njerëzit kalojnë dhe bëjnë selfie me balonat flamur në sfond dhe shumë pak janë ata që ankohen se aty mungon flamuri i ndonjë vendi. Nuk mungon asnjë përfshi edhe flamurin turk.

Mbi shtyllat e ndricimit të rrugës, Gremi vendosi së fundi disa drita të blera në Kinë, të cilat projektojnë mbi asfalt shprehje nga evropianë të mëdhenj.

Prandaj nuk është cudi ajo që më ndodhi mua një natë, kur përballë koshit të plerave,një armik ky që Gremi s’po e mund dot dhe prandaj e zbukuron, mbi asfalt u shfaq e projektuar një shprehje e ish presidentit të Italisë Sandro Pertini.

Sandro Pertini ishte një partizan italian,pastaj një socialist që u bë President dhe që kujtohet për mënyrën si festoi kur Italia doli kampione e Botës në Spanjë në vitin 1982 dhe sidomos për stilin me të cilin tallej në tribunë me Kancelarin e Gjermanisë që atë ndeshje u mund. Megjithëse ishte shumë i shkurtër, për shkak të humorit, e dominoi plotësisht pjesën politike të Finales.

Megjithatë nuk ëshë humori, por realizimi i tij, arsyeja që mbi asfaltin e Rrugës së Bogdanëve, shndrit cdo natë kjo shprehje e Sandro Pertinit: Demokracia më e keqe,është më e mirë se cdo Diktaturë.

Unë jam dakort me Sandro Pertinin.

Rruga e Bogdanëve ka ndryshuar.

Nëse ka ndryshuar për keq, prapë është më mirë se kur ishte keq.

May be a black-and-white image of outdoors

SHKARKO APP