BEN BLUSHI: KOMPLOTI NË KOSOVË

Nga Ben Blushi-

KOMPLOTI NË KOSOVË

Gjatë gjithë fundjavës kam qenë në Prishtinë për të prezantuar romanin Komploti. Shumë miq dhe lexues që kanë blerë librin më kanë pyetur se për cfarë komploti bëhet fjalë.

Po e shpjegoj shkurt.

Komploti bëhet për Kosovën. Kosova është në qendër të një komploti që ndodh në të ardhmen kur shqiptarët dhe të huajt që jetojnë në Shqipëri mobilizohen për të rimarrë Kosovën dhe për t’ia bashkuar Shqipërisë.

Në fakt kjo ka qenë tema ime e preferuar në të gjitha bisedat në Prishtinë me miq dhe të ftuar në prezantim. A e imagjinoni dot cfarë vendi do ishte Shqipëria nëse Kosova do ishte pjesë e saj? Cfarë energjije njerëzore, ekonomike dhe fuqie do clirohej? Shqipëria do ishte një vend me 5 milion banorë, me dy metropole, Tiranën dhe Prishtinën, një vend i rinuar i cili do mposhte plakjen, zbrazjen dhe pesimizmin.

Shqipëria do ishte vendi më i madh në Ballkanin Perëndimor dhe një vend i rëndësishëm në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Më në fund do arrinim të mundnim paragjykimin më të dëmshëm të historisë për ne : se jemi një popull i vogël që nuk bën dot gjëra të mëdha.

Ky projekt do ishte një mrekulli për të dy palët. Edhe për Shqipërinë që sot vuan nga zbrazja edhe për Kosovën që vuan nga izolimi. Shqipëria do i siguronte Kosovës një shtet të njohur ndërkombëtarisht dhe Kosova do ti garantonte Shqipërisë entuziazëm dhe rini.

Prandaj ky Komplot ia vlen të bëhët ose të paktën ia vlen të tentohet.

Unë do shkoj sërish në Kosovë për tiu përgjigjur ftesave për prezantimin e Komplotit në Prishtinë, Ferizaj, MItrovicë, Prizren e kudo tjetër.

Gjatë kësaj jave do jem në Tiranë në Panairin e Librit ku romani do dalë për herë të parë në stendën e botimeve Pegi.

E di që shumë njerëz këtej kufirit do më pyesin se si ka mundësi që në roman është parashikuar që Shëngjini do jetë një bashki refugjatësh ashtu sic në fakt po ndodh këto ditë.

Ky është një nga problemet e vogla që shkakton ndarja e shqiptarëve në dy shtete. Për të njëjtën gjë, në këtë rast për të njëjtin roman,në Kosovë bëhen pyetje të tjera në Shqipëri të tjera.

Unë do ti përgjigjem të gjitha pyetjeve sidoqoftë.

SHKARKO APP