Deputeti Ben Blushi: Parlament qesharak. Kontrollohet nga të huajt

Deputeti Ben Blushi, ka folur në seancën parlamentare të kësaj të enjteje për vonesën e miratimit të reformës në drejtësi. Ai e ka cilësuar si të turpshëm për klasën politike shqiptare mbledhjen e grupeve parlamentare nga ambasadorët për realizimin e reformës në drejtësi.

“Ambasadorët e SHBA dhe BE kanë vendosur të mbledhin grupet tona parlamentare, pra po mbledhin një seancë jashtë Kuvendit. Në këtë mënyrë Shqipëria po bëhet qesharake dhe ky Parlament ka humbur sovranitetin”, ka thënë Blushi. Sipas tij, angazhimi i ndërkombëtarëve në këtë proces është pozitiv, por e gjitha kjo do ta ketë një çmim.

“Çmimi është tallja me ne, përçmimi i këtij Parlamenti, kësaj klase politike dhe në fund shfarrosja si specie e kësaj klase politike. Jemi shumë afër shfarrosjes dhe Shqipëria do të jetë më mirë kur ne të ikim”, ka thënë Blushi. Ai është shprehur se miratimi i reformës me ndikimin e ndërkombëtarëve mund t’u japë shpresë shqiptarëve, por ka edhe një anë tjetër të medaljes.

“Mund t’u japë shpresë njerëzve se me mbështetjen e ndërkombëtarëve pronat e tyre nuk do të vidhen, deti nuk do të falet, stadiumi me majucë nuk do të ndërtohet më. Nëse drejtësinë e marrin nën kontroll ndërkombëtarët, atëherë ndoshta ky Parlament nuk do të jetë më sadist”, ka thënë Blushi. Por, ka theksuar ai, “kjo situatë tregon troç se ne nuk duam të bëjmë drejtësi, por po detyrohemi të bëjmë reformën në drejtësi”. “Sot 3 grupet tona parlamentare duhet të skuqen dhe unë nuk do të doja të isha pjesë e asnjë prej tyre. Koha e sadistëve dhe esadistëve ka përfunduar”, ka shtuar Blushi.

Fjala e plote e Blushit

Është totalisht e pazakonshme, për thirrjen nga ana e ambasadorëve të BE dhe SHBA… që nga viti 1014 kur fuqitë e mëdha sollën një administrator se s’kishim mundësi të vetëorganizoheshim, ska pasur ditë më të turpshme për ne. Por nëse në vitin 1914 s’kishim fuqi të ushtronim sovranitetet sot është shumë më keq se kaq, se klasa politike shqiptare s’do dhe po e saboton qëllimisht reformën në drejtësi.

Ambasadorët kanë vendosur të mbledhin 3 grupet tona parlamentare për të përcaktuar jo vetëm punën por edhe orarin e punës. Kanë vendosur ta mbledhin parlamentin e shqiperise jashtë kësaj salle,

Disave kjo nuk u thotë asgjë, sic ka njerëz që në 100 vjet kanë qenë më qesharak se kaq.

Nga kjo ditë ky parlament ka humbur legjimitetin e vet.

Ndërkombëtarët spo na lënë vetëm, megjithatë kjo mbështetje për reformën në drejtësi ka një cmim, tallja dhe cmontim i ketij parlamenti, përcmimi i kësaj klase politike edhe ne fund fare shfarosja.

Çmimi është ndëshkimi i klasës politike, shfarosja si specie e kësaj klase politike, nëse nuk e kuptoni duhet ta dini se jemi shumë afër shfarosjes, proces që shqiptarët nuk e bënë me votë, si seleksionohen speciet kjo do bëhet mes reformës në drejtësi.

Shumica e shqiptarëve do e aprovonin, se Shqipëria do jetë më mirë kur ne të ikim, nëse pyesni shqiptarët ata janë dakord, ne e meritojmë të tallemi dhe nëpërkëmbemi si po ndodh, shqiptarët kanë besim se klasat e tyre politike do ndëshkohet, pasi ka rezistuar për shumë kohë duke sabotuar drejtësinë.

Reforma në drejtësi ndoshta do kalojë, çka mund ti japë shpresë shumicës së njerëzve se me ndihmën e partnerëve pronat nuk do vidhen, deti nuk do falet, stadiumet me majucë nuk do të ndërtohen më dhe se jeta mund të jetë pak më e drejtë dhe shumë më cilësore. Reforma në drejtësi nëse miratohet si mesa duket do miratohet mund të shërbejë për të ndalur shpopullimin e vendit dhe zbrazjen nga politikanët c’ka ka ndodhur në 25 vjet.

Ndoshta nëse fuqitë e huaja, miqtë ndërkombëtare do marrin në dorë drejtësinë ka shumë shpresë që politika esadiste të shterojë, ky parlament shumë shpesh ka qenë sadist, por cdo ditë ka qenë esadist, ka ecur në rrugën e Esat Toptanit dhe të jesh esadist do të thotë të jesh kundër interesit kombëtar, kundër interesit publik, kundër atyre që vuajnë, që s’marrin drejtësi, do të thotë të jesh kundër Shqipërisë, por si dëshmon historia, esadistët apo Esat Toptani nuk përkulej nëse ndërkombëtarët nuk hynin në lojë si po ndodh sot e ku parlamenti si besnik i parimeve esadiste po shënon fundin e vet.

E shihni ku e solli veten ky kuvend, ambasadorët vijnë në grupet tona për të na bindur të bëjmë drejtësi, kjo do të thotë se në sytë e shqiptarëve ne duket se nuk duam të bëjmë drejtësi.

Parlamenti nuk ka as fuqi, as dinjitet, as mundësi të bëjë atë që duhet e atë që pritet, po tallemi dy herë si klasë politike, njëherë po tallemi nga ndërkombëtarët e herën e dytë nga shqiptarët, ky kuvend e ka konsumuar orën e fundit dhe ka ardhur koha të ikë në shtëpi.

Të tre grupet parlamentare duhet të skuqen, unë s’do doja të isha pjesë e asnjërit nga tre grupet, kjo klasë e meriton deri në fund këtë tallje. Mesa duket koha e sadistëve esadistë ka përfunduar.

SHKARKO APP