Ben Blushi, Ramës: Jep dorëheqjen, zhblloko Vettingun dhe zgjedhjet

Në seancën e jashtëzakonshme parlamentare të thirrur nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta për të votuar komisionin e Vettingut, u votuan tre nga emrat e shumicës për komisionin si Ylvi Manja (PS), Vasilika Hysi (PS) dhe Luan Rama (LSI). Ndërsa kandidatura e Shpëtim Idrizit nuk mori votat e PS, pra u skualifikua. Në këtë moment foli deputetja e PDIU, Mesila Doda, e cila akuzoi PS-në që nuk e do realisht Vettingun, pasi ndërkohë që Edi Rama thotë se opozita futet në çadër prej frikës se Vettingut, por në parlament u pa se është PS, që ka frikë njëlloj si PD prej Vettingut. Më këtë veprim de facto PS-ja e përjashtoi PDIU nga koalicioni.

Ngritja e komisionit parlamentar që do bëjë rivlerësimin e kandidaturave, përveç se konfirmoi numrat e mazhorancës PS-LSI, nuk ka efekt në reformën në drejtësi. Kjo për shkak se komisionit i mungojnë 3 anëtarë të opozitës për të nisur punën. Opozita nuk propozoi asnjë emër dhe ka bojkotuar gjithë procesin parlamentar dhe politik, që me nisjen e protestës së 18 shkurtit për qeveri teknike. Nëse zgjedhjet, sipas PS, mund të bëhen edhe pa opozitën, reforma në drejtësi nuk mund të nis nëse demokratët nuk janë në Kuvend.

I vetmi që e përmendi faktin e hidhur se procesi i djeshëm në Kuvend nuk ka asnjë vlerë për reformën në drejtësi ishte deputeti dhe kreu i LIBRA, Ben Blushi. Për sa kohë ka një krizë politike dhe bojkot parlamentar, vijimi normal i procedurave është i pamundur. Marrja e fjalës nga Ben Blushi në seancë u shoqërua me reagime nga ana e deputetëve socialistë. Sapo doli në foltoren e Kuvendit deputeti Blushi, menjëherë u ngrit kryeministri Rama dhe iku. Largimi i Ramës ishte sinjal për të gjithë grupin e deputetëve socialistë. Pas tij, ikën pothuaj me vrap, gjithë ministrat e PS. Nuk vonoi, ndërsa fliste Blushi, kur një dorë nga korridori ua bëri me shenjë që duhet të braktisnin sallën deputetët e PS-së.

Në fjalën e Blushit, përveç ironisë dhe thumbave ndaj Qeverisë dhe Kryeministrit Rama kishte dhe një sugjerim për socialistët. Blushi kërkoi nga deputetët dhe politikanët me ndikim në Partinë Socialiste që të bindin Edi Ramën të largohet nga qeverisja. Edhe pse në PS askush nuk do që të përmendet fjala dorëheqje dhe largim, Blen Blushi dha disa augmente që i shërbejnë më së shumti vetë Partisë Socialiste dhe që largimi i Ramës të mos shihet si tragjedi.

“Jeni në krizë, drejtësia e bllokuar, zgjedhjet e bllokuara. Sot duhet të kishte ardhur për të dhënë dorëheqje. Bindeni të ikë edhe 70 ditë se zhbllokohet vettingu. Bindeni të japë dorëheqjen nuk ka rrugë tjetër. Kam tre ditë që e kërkoj”,- tha Blushi.

Sipas Blushit me dorëheqjen e Ramës opozita vjen në parlament dhe voton Vettingun. Por efekti tjetër i largimit të Kryeministrit është dhe kthimi në normalitet i procesit zgjedhor. Kjo pasi opozita nuk ka më argumente për të vijuar bojkotin e zgjedhjeve të 18 qershorit. Blushi përmendi dhe një element tjetër jo pak të rëndësishëm për qeverisjen. Nga data e zgjedhjeve na ndajnë rreth 70 ditë. Këto ditë, Qeveria dhe Kryeministri, formalisht si institucione kalojnë në plan të dytë, pasi kryesorja është fushata elektorale e Partisë Socialiste. Janë 70 ditë që nuk ndikojnë në programin e qeverisjes dhe as në axhendën e reformave, pasi janë ditë fushatë dhe jo normalitet politik. Ndaj sugjerimi i Blushit për socialistët, edhe pse vjen nga një kundërshtar politik, është një nga rrugët për daljen nga kriza.

Por ndërsa sapo kishte thënë fjalët e para Blushi deputetët e PS-së vraponin kush e kush të dilte nga salla për të mos dëgjuar ish-kolegun e tyre, Blushi. Bile në një moment radha për të ikur nga salla, sepse duhej me urdhër te kryeministrit, dy deputetë u rrëzuan te pragu i derës se sallës, çka i kapi edhe një kamer televizioni.

Në sallë, kur fliste Blushi, ishte Ilir Meta kryetari i Kuvendit, dhe deputetët Pandeli Majko, Bashkim Fino, Vasilika Hysi. Ndërsa Rama, ministrat dhe deputetët e tjerë shpejtuan të iknin nga seanca.

Gjithsesi, kriza politike nuk mund të fshihet më. Nëse nuk ka negociata mes PS dhe PD, nuk ka as zgjedhje dhe as reformë në drejtësi.

Qamil Xhani

SHKARKO APP