Ben Blushi: Sa herë flas unë Edi Rama heq spinën e televizioneve
Në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste ka folur dhe deputeti Ben Blushi. Fjalimi i tij nuk u transmetua nga media, siç ndodhi me fjalimin e kryetarit Edi Rama. Ndërkohë që gjatë kohës që fliste Blushit, kreu i PS-së, Edi Rama nuk ka qenë i pranishëm në sallë.
Pas fjalimit që nuk u transmetua nga media, Blushi foli për gazetarët. Ai tha se ideja e Ramës për referendum është marrëzi. “Nuk po zbatohet statusi aktual dhe po kërkohet të zbatohet statuti që nuk është miratuar. “Është marrëzia e një njeriu që do të shkojë në zgjedhje pa kandidat. Nuk dot ë ketë zgjedhje, po do të shkojë në zgjedhje vetëm pa kandidat. Edi Rama përballë Edi Ramës. Ky nuk ishte një debat, ishte një marrëzi. Ai tha kam bërë një gabim, pse nuk më ndihmuat ta rregullojmë? Kjo është ajo që po themi. Nëse nuk ke drejtuar partinë siç duhet, hajt ta rregullojmë. Ka vetëm një mundësi për ta rregulluar, për të shkuar në zgjedhjet për kryetarin e partisë”, tha Blushi.
Blushi foli dhe për mos transmetimin e fjalimit të tij nga mediat. “Sa herë flas unë Rama heq spinën e televizioneve”.
Ndërkohë në fjalimin e tij në Asamble, Blushi ka kritikuar procesin që po ndiqet në Partinë Socialiste dhe mos zbatimin e statusit të partisë. Ai tha se po zbatohet një praktikë jo normale. “Nuk mund të ketë zgjedhje për çdo strukturë dhe të mos votohet kryetari i PS”,- tha Blushi.
Ai tha se ka kërkuar vetëm zbatimin e statutit të Partisë Socialiste. “Kam kërkuar vetëm zbatimin e statutit. Propozimet e mia ja kam dorëzuar Asamblesë së PS-së. Statuti është si një makinë që ka gjithçka, por jo timon”,- tha ai.
Blushi u shpreh se “nëse duhet të zgjedh mes PS dhe Shqipërisë, zgjedh Shqipërinë”.
http://www.kohajone.com/2016/03/09/fjalimi-i-plote-ben-blushi-nese-duhet-te-zgjedh-mes-ps-dhe-vendit-zgjedh-shqiperine/