Ben Blushi shkundi themelet e “sistemit të vjetër”, por nuk e rrëzoi
Ben Blushi dha dorëheqjen nga një forcë politike të cilën e krijoi, e ngriti dhe e la në fushën e betejës. Shumëkush e lavdëron për sqimën e tij politike dhe karizmën mediatike, pakkush e akuzon si pjesë e sistemit të vjetër që ai deshi ta rrëzonte, por që nuk mund të prishte themelet e një “kështjelle” ku vetë është rritur.
Blushi njihet, por për të rinjtë që hapin vetëm 24 orë facebook-un, kanë nevojë një përmbledhje të shkurtër të biografisë së tij. Ben Blushi filloi si gazetar në gazetën opozitare “RD” që në fillimet e saj, me pas shkoi te gazeta e pavarur “Koha Jone” dhe kur mori frenat e gazetës si kryeredaktor në periudhën korrik 1996- prill 1997 e bëri gazetën me tirazhin me të madh në historinë e shtypit të lirë të shkruar shqiptar, në 88 mijë kopje gazeta të shitura në një ditë. Më pas në shtator 1997 u fut në dyert e mëdha të politikës. Në fillim si këshilltar e më pas deputet, ministër dhe prapë deputet. Përplasjet me Edi Ramën janë të njohura dhe krijoi LIBRA.
Ky është Blushi për ata që nuk shikojnë shumë politikë apo TV. Pra ndryshe nga shumë politikanë ai është edhe gazetar, edhe shkrimtar. Është brenda një bote që nuk pranon servilizmin dhe ku fjalën e lirë e ka gjë të shenjtë. Blushi u përballë në PS me një mur gjigand ku Rilindja dhe vetë PS-ja e kthyer në shtojcë të Rilindjes, nuk pranonin asnjë mendim të kundërt. Asnjë debat, asnjë formë lirie në zgjedhje e në përzgjedhje. I vetëm, në një fushë beteje me “balozët” e krimit dhe korrupsionit bëri betejën e një luftëtari humbës-fitues. Humbës se doli nga “kështjella” nga ku kishte hyrë triumfalisht si gazetar e drejtues i gazetës me të madhe shqiptare “Koha Jone”. Fitues pasi ai mbeti i lirë për të thënë atë çka mendon dhe që i duket më e drejtë.
Me LIBRA dhe me oratorinë e tij tronditi sistemin e vjetër politik në Shqipëri. Por, realisht është siç shkruan Blushi në letrën e dorëheqjes së tij se “Shqiptarët nuk e duan opozitën. Ata i besojnë më shumë të djeshmes së të nesërmes. E vjetra i qetëson, e reja i shqetëson. Atë që ishte e çmojnë, atë që vjen e nënçmojnë. Unë e kuptoj këtë zakon, pavarësisht se nuk e mirëkuptoj.
Shqiptarët duan të jenë gjithnjë me të fortët dhe jo me të drejtët, duke menduar se ç’ka është e fortë është edhe e drejtë dhe ç’ka është e drejtë është gjithnjë e dobët”.
Kjo është Shqipëria. Nuk ka qenë kështu, të paktën deri nga vitet 2005. Shitej vota, por nëpër katunde të thella dhe në varfëri ekstreme. Kurse vitet e fundit, vota shitet në seri e në mori pa ndalesë. E tha edhe Preç Zogaj që dy ditë para zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, në një pikë konvertimi parash në Lezhë, iks person ka deklaruar se në dy ditë kam konvertuar mbi 800 mijë euro, aqsa nuk kam bërë prej pesë vitesh! Po kështu pothuaj kudo në Shqiperi, aqsa vlera e euros ra në kuotat me të ulëta historike të saj në vend. Sepse droga, kanabisi shitej në Europë me euro. Miliarda euro janë në Shqipëri, por në pak duar, bile në duar krimi e mafie.
Si rregull kur kalojnë vitet një shoqeri emancipohet, piqet. Në Shqipëri prej fajit të krimit që ka hyrë në politikë e jo vetëm, prej drogës e korrupsionit një pjesë jo e vogël e popullit ka tendencë pajtimi me të keqen, me të fortin (kriminelin) duke marrë një dorë parash e duke harruar se robtimi vjen gjithnjë e më i keq, ndonëse duket me modern.
Kur themi kështu nuk kemi parasysht krejt popullin. Në asnjë mënyrë. Por flitet që nëse para vitit 2005 diku te 2-5 përqind e popullisisë shiste votën, ndërsa vitet e fundit, sidomos viti 2017, kapi shifrën 15-20 përqind e popullsisë. Kjo është tragjike për një popull.
Ndaj Ben Blushi, fatkeqsisht, ka të drejtë.
Spiten Prulli