Fjalimi i plotë, Ben Blushi: Të hapim dyert për refugjatët sirianë
Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi kërkoi sot nga qeveria që të hapë kufirin për refugjatët sirianë. Në fjalën e mbajtur në Kuvend, ai tha se Shqipëria nuk ka mundësi financiare të mëdha, por duhet të tregojë se ka një zemër dhe shpirt të madh për të mirëpritur njerëzit në nevojë.
Ai u shpreh se është koha që të tregojmë se nuk jemi një vend racist. Blushi solli në vëmendje dhe pritjen e refugjatëve kosovarë gjatë luftës.
“Ka ardhur koha të tregojmë se Shqipëria nuk është diskriminuese”,- tha Blushi.
Fjalimi i plotë në Kuvend
“Shpresoj që sot jemi koshient për çfarë po ndodh shumë afër Shqipërisë. Një vale e re refugjatesh të cilët vijnë nga zonat e luftës, kryesisht në Siri, janë bllokuar në Greqi.
Maqedonia i ka mbyllur kufijtë për ta dhe rreziku që ata të vijnë drejt Shqipërisë për të kapërcyer më pas në Eruopë është gjithnjë e më i madh.
Çështja është çfarë do bëjmë ne nëse kjo ndodh?
Pra, çfarë do bëjmë si shtet dhe si popull nëse disa mijëra njerëz që i ikin luftës dhe persekutimit do kërkojnë bukë, strehë dhe një urë kalimi në vendin tonë?
Do ti mbyllim kufijtë? Do ndërtojmë tela me gjemba? Do ti sulmojmë me ushtri dhe polici duke i lënë të vdesin në uri dhe në braktisje?
Në kaq shumë vite, pasi Shqipëria është hapur, kemi provuar se si na kane trajtuar të huajt ne. Por ende nuk dimë se si i trajtojmë ne të huajt. Ne nuk kemi provuar që komshinjtë tanë të mos jenë shqiptarë. Nuk kemi provuar të ndajmë ujin dhe ajrin me njerëz të racave dhe etnive te tjera. Por si europiane që pretendojmë që jemi do duhet ta kalojmë dhe këtë test.
A jemi raciste?
Unë besoj se jo. Por ka ardhur dita për ta provuar. Dikur, kur ishim më të mjerë dhe më të izoluar e kemi kaluar këtë sprove humanizmi. Ajo që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore kur ishim vendi i vetëm në Europë që mbrojtëm hebrenjtë do mbahet mend si një nga faqet më të shtrenjta të librit të historisë sonë. Bota na kujton si bamirës. Si humanistë.
A jemi ksenofobë? Është dita për ta provuar se nuk jemi. Ne jemi një popull i vogël dhe i vuajtur. Kemi përjetuar urinë, genocidin, pushtimin, fashizmin,komunizmin, varfërinë dhe emigrimin dhe për gjithë këto arsye nuk mund të jemi diskriminues.
Ai që vuan nuk do të shohë të tjerët se si vuajnë si ai. Ne pra nuk mund ti mbyllim dyert ndaj emigrantëve.
Ndoshta sirianët dhe afganët që sot po i ikin persekutimit, nuk do kënë kurrë nevojë për ne, por nëse ata kanë nevojë ne nuk mund ti zbojmë. Natyrisht që kushdo ka arsye të thotë se mjaft kemi hallet tona, nuk na duhen edhe disa qindra mijëra të tjerë të cilët nuk kanë para, nuk kanë strehë dhe prandaj do duhet ti mbajmë me taksat tona.
Kanë të drejtë.
Shqipëria nuk i ka kushtet për të strehuar edhe 100 mijë të varfër të tjerë. Të varfërit që ka, i teprojnë dhe ndoshta janë më shumë nga sa duhet. Por në këto raste nuk është xhepi i një populli ai që duhet të dominojë sjelljen e tij. Është shpirti. Është zemra. Është mendja.
Ne kemi strehuar gati 1 milion kosovarë kur ishim më të varfër se sot. Ne kemi provuar se dimë te ndajmë atë që kemi me ata që s’kanë, atë që ne kemi. Kosovarët ishin shqiptarë dhe sigurisht që emocionet dhe arsyet në këto rastë janë më të forta, por në fund të fundit flasim për qenie njerëzore në nevojë. Për njerëz që po i ikin luftës dhe zhdukjes. Për fëmijë që duan një vend ku të rriten. Për gra që duan një shtrat ku të lindin. Për burra që kërkojnë një qiell ku të mos i vrasin. Për pleq që duan një toke ku të vdesin.
Çfarë rëndësie ka nëse janë sirianë, afganë, myslimanë apo të krishterë. Janë qënie njerëzore. Ne duhet ti ndihmojmë ata të jetojnë. Për të gjitha këto arsye ne nuk mund ti mbyllim kufinjtë.
Nuk do dyshoja kurrë se ne mund të ishim një vend ksenofob në rast se këtë dyshim nuk do ma kishin ngritur qëndrimet ekuivoke dhe të paqarta të ditëve të fundit. Qeveria ka thënë se ne nuk mund ti hapim dyert nëse kjo ndodh. Sot dëgjova një nga zyrtarët e lartë të shtetit i cili tha se Shqipëria nuk ka leverdi ti pranojë dhe strehojë sirianet që i ikin luftës. Unë besoj se kjo nuk është çështje leverdije. Kjo është çështje solidariteti.
Nëse popujt e tjerë përreth nesh, italianët, grekët, gjermanët, zviceranët, anglezët do kishin mbajtur të njëjtin qëndrim ndaj nesh përpara 20 vitesh, ku do kishin emigruar 1 milion shqiptarë? Sa prej tyre do ishin mbytur në det me gomone dhe anije shpëtimi. Sa varre do ishin hapur. Sa fëmijë nuk do kishin lindur? A i mbani mend anijet mbushur me shqiptarë që dynden italinë në vitin 1991? Ato janë pamjet e një populli që i ikën mjerimit. Ai popull jemi ne. Shqiptarët.
Dhe kini parasysh që 1 milion shqiptarët nuk ikën nga dhuna. Nuk ikën nga lufta. Ata ikën nga varfëria. Pra Europa kishte më pak arsye për të na pranuar ne dje, se çka sot arsye për të pranuar sirianët. Ata janë viktima të një territori pa shtet, pa rend, pa kontroll. Ata janë viktima të një lufte civile që nuk dihet a do ketë fund.
Unë mendoj se ne duhet të jemi shumë më të ndjeshëm. Sado e padrejtë të duket ne duhet ta ndajmë varfërinë tonë me ta. Varfëria mund të jetë dinjitoze kur është solidare. Por varfëria nuk mund të jetë kurrë e ndershme në rast se nuk ndahet me të tjerë. Më të varfërit e tjerë. Koha ka treguar se varfëria ndahet më mire se pasuria dhe kështu ka ecur përpara njerëzimi duke ndarë varfërinë dhe mjerimin e vet.
Përpara disa javësh ne vendosem të strehojmë gati 3000 muxhahedinë dhe mirë bëmë. Por nëse strehojmë muxhahedinët dhe mbyllim dyert për sirianet sigurisht që bota ka arsye të besojë se ne bëjmë tregti politike. Ne tregtojmë për shkaqe politike të ditës, por i mbyllim dyert dhe shtëpitë tona për arsye humanitare.
Sot, më shumë se kurrë kemi rastin të dëshmojmë se jemi një popull që nuk prodhon vetëm emigracion dhe varfëri, por edhe solidaritet.
Një popull solidar ka arsye të jetë i pranueshëm dhe i përfillur. Atë që të tjerët kanë bërë për ty një ditë duhet ta bësh ti për të tjerët. Ky është çmimi i dinjitetit të cilin ka ardhur koha ta paguajmë. Dhe duhet ta paguajmë. Me çdo çmim”.