Benet Beci sjell në Velipojë “SHKODRA BEACH SOCCER 2024”
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, ka ndarë në rrjetet sociale lajmin për pasurimin e traditës sportive të kryeqendrës së veriut me një tjetër risi, e cila vjen të pasurojë veprimtaritë sportive dhe të gjallërojë jetën e Velipojës, në pikun e sezonit, duke zhvendosur sportin më popullor, futbollin, nga fushat e blerta në rërën e bregdetit.
Më 23-24-25 gusht, njofton kryebashkiaku, se Bashkia Shkodër dhe Federata Shqiptare e Futbollit organizojnë për herë të parë në plazhin e Velipojës, SHKODRA BEACH SOCCER 2024!
Pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Italia, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do të garojnë në këtë sfidë interesante, ku jeni të ftuar të gjithë. Të gjithë për të luajtur, të gjithë për ndeshur, të gjithë për t’u zbavitur, të gjithë për të fituar.
Sepse plazhi nuk është vetëm një mundësi për t’u shkëputur nga rutina e përditshme, nga pesha e përgjegjësisë dhe angazhimit në punë, është edhe për t’u argëtuar duke sfiduar.
Ky event do të instalojë Velipojën dhe Shkodrën në hartën e madhe të BEACH SOCCER, në hartën ku bota e futbollit vjen nga stadiumet për të ndezur bregdetet. Fatin shqiptar e ka Velipoja. Merita i takon Bashkisë Shkodër dhe personalisht kryebashkiakut, Benet Beci që vijon të pasurojë qytetin e traditave.
Albert Vataj